Politike

Kuvendi, sulm Metës. Balla: Të lirojë zyrën. Opozita e re ka kusht

Parlamenti zhvilloi seancën e parë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ku ndryshe nga herët e tjera godina nuk ishte rrethuar nga “muri” metalik, por me një shirit plastik, ku policët nuk lejonin qytetarët të kalonin që nga pjesa e rrugës pedonale pranë ministrisë së Brendshme drejt Kuvendit.
Si për koincidencë në rendin e ditës ishte dekreti i Presidentit Meta për kthimin e ligjit “Për Shërbimin Përmbarimor Privat” dhe në këtë seancë mungoi kryeministri Edi Rama, por çdo fjalim i socialistëve hidhej në ERTV dhe në rrjetet sociale të liderit të socialistëve. “Sot duhet t’i mësojmë Presidentit të Republikës se Kuvendi i Shqipërisë është autoriteti më i lartë në këtë vend dhe kush guxon të pengojë Reformën në Drejtësi, do të marrë përgjigjen frontale të aleancës strategjike Shqipëri – SHBA – BE”, ishte mesazhi i kryeministrit në Facebook.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/978010699197397/?t=31


Kjo pikë e rendit të ditës ka shërbyer për tu fokusuar te nisma e mazhorancës për shkarkimin e Metës nga Parlamenti. Socialistët ishin përgatitur për zbrazur tërë baterinë e sulmeve ndaj presidentit, i cili disa ditë më parë lëshoi akuza të ashpra ndaj mazhorancës socialiste.
I pari që do të fliste nga socialistët ishte deputeti Alket Hyseni, ku akuzoi ashpër sjelljen e presidentit, duke i përmendur dhe vendimet e marra ndër vite. “Frikë nga reforma në drejtësi, ky president që nuk përfaqëson më Kuvendin, kthen ligjin për buxhetin e shtetit e paparë e padëgjuar. E kush e pyet presidentin për buxhetin, ka kthyer dekretim për emërim ministrash, ka ndërhyrë hapur në politikat qeveritare, nuk e bën për publikun as për kreditorët, i dhemb nga tmerri pafund që ndjen për reformën në drejtësi. Jemi shumicë dërrmuese kjo është arsyeja. Ju jeni vërtet të frikësuar sepse duhet të jeni të frikësuar se ju erdhi ora. Nga pikëpamja institucionale do të jetë me ngritjen e komisionit hetimor, t’i japë mundësi kë tij personi të dalë në pension, por jo të kakarisi në majë të plehut në emrin e republikës së Shqipërisë”, deklaroi Hyseni.

Taulant Balla në Parlament


Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi Meta me vendimet e tij, duke ta lirojë zyrën e tij në Presidencë, ndërsa shtoi se 30 Qershori rikonfirmoi shumicën, pasi mori të njëjtat vota si në 2017. “Reforma në drejtësi veçse do të zbatohet dhe këtu mbaron gjithë ky diskutim edhe pse e dëgjova në sallë emrin e heroit Avni Rustemi që ka disa ditë që rrotullohet në varr ku është se po ia shpërdorojnë emrin njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me Avni Rustemin. Nuk dua të harxhoj kohën sot, do të kemi seancë të posaçme të hënën, që do t’i hapë rrugën një hetimi të plotë për shkelje të kushtetues nga ana e presidentit. Ajo zyrë duhet liruar urgjentisht për të vendosur autoritetin e Presidentit, një figurë që duhet ta bashkojë Shqipërinë. Zgjedhjet e 30 Qershorit tregun se dhuna ndaj institucioneve ishte e drejtuar nga opozita e dhunës. Opozita e re meriton respekt dhe dorën e shtrirë për bashkëpunim. PS-ja ka marrë të njëjtën votë që ka marrë në 2017, ekzaktësisht, rikonfirmon se mandati i këtij Kuvendi është legjitim”, deklaroi Balla.

Myslim Murrizi duke folur në Parlament


Kundër këtyre qëndrimeve dolën deputetët e opozitës, të cilët në diskutimet e tyre dhanë sinjalin e kushtëzimeve në këmbim të votës për shkarkimin e Metës. Deputeti demokrat Myslim Murrizi do të ishte i pari që shpalli kërkesën e opozitës së re. “Ku e gjeni këtë siguri se qenka vetëm për pjesën tjetër dhe jo për ju drejtësia. Hallin që keni me presidentin është hall i përbashkët, i 10-15 individëve që shumë shpejt do të jenë ortakë apo banorë të ndonjë burgu të famshëm a të Reçit apo Peqinit, apo të ndërtojë ndonjë të vetin si Eskobari. Kjo pjesë që është sot këtej (opozita e re) nuk i bie në mend vettingu, pasi kokërr karameleje nuk kanë marrë. Edhe luftën që keni me njëri tjetrin nuk na bie mendja fare, keni që në 1942 me Qemal Stafën që keni vrarë dhe prerë njëri tjetrin. Ne do ta kushtëzojmë çdo ndryshim me reformën zgjedhore. Po keni qejf i bëni zgjedhjet edhe në 16 tetor ti bëni qejfin liderit. Do të kushtëzojmë votën edhe për ligjet e reformës në drejtësi edhe për të shpallur shokun Mehmet armik dhe për ti vënë prangat te Komiteti Qendror vetëm me ndryshimin e sistemit zgjedhor”, theksoi Murrizi.


Më tej demokrati shtoi se “të gjithë, nëse meritojnë të shkojnë në burgun e Reçit, rruga e mbarë qoftë. Nga Presidenti, ish-Presidenti, kryeministri, ish-kryeministri, nëse meritojnë nga kjo drejtësi që të shkojë në burg, le ta gëzojnë, nëse i njohim do t’i çojmë ndonjë paketë cigare”.

Murrizi dhe Gjuzi në Parlament

Kushteve të opozitës iu kundërpërgjigj kreu i grupit të mazhorancës, Balla, i cili theksoi se socialistët nuk pranojnë kushte.“Partia Socialiste bashkëpunon me këdo, por kushte nuk pranon. Për sa i përket Reformës në Drejtësi, ju këtu apo edhe ata në rrugë, duhet ta dini se ajo nuk negociohet. Reforma në Drejtësi veçse zbatohet dhe këtu mbaron i gjithë ky diskutim. Patjetër që ky Kuvend sot duhet ta rrëzojë këtë dekret të Presidentit aktual të Republikës, i cili nuk heziton dhe veçse u kujton shqiptarëve se është pjesë e një grupi, i cili bën gjithçka për të penguar Reformën në Drejtësi. Edhe kjo përpjekje për të penguar hyrjen në fuqi të një ligji shumë të rëndësishëm, pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, i cili u miratua këtu në këtë sallë do të dështojë”, theksoi Balla.
Deputeti demokrat Halit Valteri gjatë fjalës së tij në Kuvend sulmoi Presidentin Meta dhe familjen e tij pas konferencës së fundit ku kërkoi mes të tjerash tre zgjedhje në Tetor, të përgjithshme, lokale dhe për Presidentin. “Nuk çuditem me Presidentin, që kthen ligje, pasi nuk është fort mirë këto kohët e fundit. Konferenca e fundit e Presidentit ishte shfaqje e shëmtuar. Ishte shumë i mërzitur dhe armatosur me mllef, sulmoi cilindo që i dilte përpara me mendjen e trazuar nga ëndrrat, se është keq të bësh burg në këtë moshë, është problem i madh. Presidenti harroi edhe rolin që kishte, përfaqësuesi i unitetit kombëtar dhe jo i LSI-së. Ai shpalosi problemet që ka te partia në Bllok, nuk e di se çfarë vendi të botës, tek kjo që aspirojmë ne dhe jo ajo që aspiron Ilir, shqiptarëve u serviret gruaja e Presidentit si drejtuese partie dhe vajza e vogël, zonjë e parë e shtetit, që akoma nuk ka hequr bebelinën” tha ai.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ndërhyri duke i kërkuar që të tërheqë ofendimet që lëshoi në drejtim të Presidentit dhe familjes së tij. “Zoti Valteri është e padrejtë dhe kundër etikës ta ofendosh Presidentin dhe familjen e fëmijët e tij, prandaj kërkoj ti tërheqësh ato që the për atë” i kërkoi Ruçi.
Deputeti Ralf Gjoni, pjesë e Grupit Parlamentar të Pavarur i kërkoi dorëheqjen Damian Gjiknurit nga posti si bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, pasi i doli emri në përgjimet e Dibrës. Ai tha se ‘moralisht nuk shkon që, ndërkohë ne si opozitë jemi të bashkuar në këtë temë për sa i përket sistemit zgjedhor, bashkëkryetari i këtij komisioni të jetë një person që del në përgjime dhe përflitet për manipulim të votave. “Është e turpshme të flasim për reformë në drejtësi dhe të kërkojmë reformë zgjedhore, kur emri i kryetarit të komisionit përflitet për blerje votash. Moralisht ju si grup duhet të mbani përgjegjësi për të gjithë këta emra që kanë dalë në përgjimet e fundit” tha ai.

Damian Gjiknuri


Deputeti socialit, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri replikoi duke thënë se nëse vjen opozita jashtë parlamentit në komision ofrohem si Presidenti për vetëzgjidhje, duke lënë të hapur mundësinë e dorëheqjes. “Si duket çdo opozitë për t’u bërë e rëndësishme do ndonjë armik apo qëllim, ata jashtë parlamentit janë me ‘Rama ik’, këta këtu me ‘Damiani ik’. Nëse vjen PD-ja në komisionin e reformës zgjedhore. Dialogu nuk bëhet fjalë vetëm për ju, është edhe për opozitën jashtë parlamentit, atë të rrini si çeço do të jetë ajo, kur të vijnë ata, patjetër nga ‘Rama ik’ në ‘Damiani ik’, unë ofrohem si Presidenti për vetëzgjidhje, nuk ka problem, mos kini merak” tha ai.
Dekreti i Presidenti në seancë u rrëzua me 85 vota nga Parlamenti. Në sallë pati edhe 6 vota pro dhe 11 abstenim, që erdhën nga radhët e opozitës së re. Ky qëndrim shihet edhe si një sinjal i opozitës së re për kushtin e ri që po paralajmëron që të shkarkojë Metën nga posti i presidentit, në këmbim të ndryshimit të sistemit zgjedhor në Shqipëri. Ndërsa disa ditë më parë deputetja Rudina Hajdari do të ishte kundër futjes së procedurave për shkarkimin e presidentit, pasi mund të kishte edhe një tensionim të mëtejshëm të situatës në vend. Të hënën është parashikuar mbledhja e Parlamentit për të diskutuar mbi raportin e komisionit të Ligjeve për nismën e paraqitur nga 55 deputetë për shkarkimin e presidentit Meta për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Në këtë raport do të propozohet ngritja e komisionit hetimor për shkarkimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë