Kuvendi mblidhet këtë të enjte në seancë plenare, ku në rend dite është një interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, thirrur nga deputeti i PD, Agron Shehaj, dy raporte veprimtarie nga Komisioni i Prokurimit Publik dhe nga Departamenti i Administratës dhe akti normativ për kompensimin e rritjes së çmimeve për kompanitë fituese të tenderave.
Interpelanca është kërkuar nga Shehaj në lidhje me dhënien e statusit të investitorit strategjik dhe shfrytëzimin e zonës së plashit për kompleksin “Dreamades Luxury Suites”, në pronësi të familjarëve të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
“A ishit në dijeni që përfituesit e bregdetit janë familjarët e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka dhe cilat janë motivet e dhënies së këtij vendimi? Përpara vendimit, a është vënë në dijeni Këshilli i Ministrave nga ministrja Xhaçka për gjendjen në konflikt interesi, faktik ose në dukje?”, pyet deputeti Shehaj.
Rama vetë ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në samitin e Këshillit të BE për Ballkanin Perëndimor. Por, interpelancës mund t’i përgjigjet ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Ndërkohë, çështja tjetër që pritet të shkaktojë debate është akti normativ për kompensimin e rritjes së çmimeve për kompanitë që kanë fituar tendera dhe kanë kontratat në vazhdim prej 1 janarit 2020. Akti u kalua me debate në Komisionin e Ligjeve, ku mes atyre që shfaqën rezerva për të ishte edhe deputeti socialist, Erion Braçe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.