Albin Kurti është rikthyer sërish në karrigen e kryeministrit. Gati një vit pasi u rrëzua nga pushteti përmes një mocioni mosbesimi, qeveria Kurti II ka marrë sot “bekimin” e Kuvendit të Kosovës, me 67 deputetë që votuan pro formimit të ekszekutivit të ri të udhëhequr nga kreu i Vetëvendosjes. Në fjalën e tij të parë si kryeministër, Kurti premtoi të udhëhiqte me parime dhe një tranzicion të qetë pas shumë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe trazirave politike që kanë “gjunjëzuar” Kosovën përgjatë vitit që lamë pas.
“Ishte një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme”, tha Kurti më 26 mars të vitit 2020, pasi një natë më herët, LDK dhe partitë opozitare, vendosën të formonin një qeveri tjetër pas rrëzimit të qeverisë së tij.
LDK, edhe pse partia më e vjetër në vend pësoi një humbje katastrofike, duke marrë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit rezultatin më të dobët në historinë e saj, ndërkohë që Vetëvendosje theu çdo rekord, duke iu kthyer në partinë më të votuar në historinë e Kosovës. Gjysma e qytetarëve që votuan më 14 shkurt, i dhanë pa mëdyshje një mundësinë tjetër Albin Kurtit, duke marrë së bashku me Vjosa Osmanin 50.26% të votave. Lëvizja e Kurtit u rrit nga një lëvizje rebele që protestoi dhe kundërshtoi ashpër kundër estabilishmentit politik në Kosovë, në udhëheqësen e vendit i cili përballet me shumë sfida dhe nga e cila ata qytetarë do ta presin ndryshimin e premtuar me vite.
Sfida më e madhe e Albin Kurtit është dialogu me Serbinë, ndonëse kryeministri i sapozgjedhur nuk e konsideron këtë çështje prioritet të tij. Ai beson se qytetarët e kanë zgjedhur t’u marrë më shumë me çështjet tjera, si menaxhimin e pandemisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kurti thotë se qytetarët e Kosovës kanë treguar në sondazhe se çështja e dialogut me Serbinë për ta është në vendin e 6-të apo të 7-të të prioriteteve.
Por cilat janë përparësitë e qeverisë Kurti II?
Kurti ka shpalosur para deputetëve programin e tij të qeverisjes. Kurti theksoi se pandemia mbetet sfida kryesore, dhe premtoi sigurimin e vaksinave për 60% të popullsisë brenda vitit. Ai tha se shëndetësia ka nevojë për reforma, duke siguruar medikamente dhe kushte më të mira. Por, sfidë kryesore në këtë sektor sipas tij është pandemia.
“Sot është një ditë e re për të gjithë qytetarët. Pas shumë pengesave, më në fund ajo që dukej e paarritshme po bëhet realitet. Jemi mbledhur për të jetësuar referendumin e qytetarëve në 14 shkurt. Populli pret që ne të zgjedhim qeverinë dhe organet e tjera. Sfidat para qeverisë së re janë të shumta.”
“Nuk ka dyshim se pandemia mbetet sfida kryesore. Pa humbur kohë, me ministrin e ri të Shëndetësisë, do të fillojmë një plan për vendosjen nën kontroll të COVID-19 me masa të cilat ulin numrin e rasteve të reja dhe që çojnë drejt eliminimit të rasteve me vdekje. Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60 për qind të popullsisë që do të sigurojë imunizim të mjaftueshëm për të filluar gradualisht kalimin në normalitet”, tha Kurti.
Kurti premtoi rritjen e buxhetit për shëndetësinë, për çdo vit.
“Në vendin tonë askush nuk duhet të falimentojë nëse sëmuret”, tha Kurti duke theksuar nevojën e sigurimeve shëndetësore. Duke folur për sistemin e drejtësisë, ai theksoi se procesi i vettingut do “të fillojë aty ku ka mbetur pranverën e kaluar”.
“Do të jetë një proces i mirëpërgatitur, transparent dhe jo hakmarrës, për të siguruar se qytetarët kanë institucione profesionale, të paanshme dhe të pavarura të cilat ofrojnë drejtësi dhe siguri për të gjithë”, tha ai.
Duke folur për raportet me Serbinë, Kurti tha se do të ngrejë padi për gjenocid të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas tij, nëse nuk zgjidhet çështja e personave të zhdukur, nuk mund të ketë progres në këtë proces.
“Prioritet në këtë dialog është zgjidhja e fatit të personave të zhdukur. Kemi 1.640 persona të zhdukur. Serbia nuk ka dënuar kënd për këtë krim. Në poligonin e qitjes në Batajnicë ku janë zhvarrosur 744 shqiptarë, nuk ka asnjë pllakë përkujtimore apo diçka që shënon se aty kishte një varrezë masive. Por, jemi të vetëdijshëm që afër 1/3 e të zhdukurve, fati i të cilëve nuk është zbardhur ende, nuk janë shqiptarë. 22 vjet pas luftës të gjitha familjet duhet të dinë të vërtetën për familjarët e tyre që të mbyllin plagët e hapura dhe që ne si shoqëri të fillojmë të shërohemi. Asnjë progres nuk mund të bëhet në asnjë fushë tjetër nëse nuk ka progres në këtë fushë”, tha ai.
Ai po ashtu tha se Kosovës i duhet dialogu “për kthimin e afër 3 miliardë euro të pensioneve të vjedhura nga Serbia; për kthimin e mbi 400 milionë eurove të vjedhura nga keqpërdorimi i energjisë elektrike, për adresimin e dëmeve të luftës, për borxhet e për suksesionet”.
“Pra, dialog që adreson dhe zgjidhë problemet ekzistuese e jo që krijon probleme të reja”, shtoi Kurti.
Kurti tha se orientimi i Kosovës është i qartë. Sipas tij, aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi transatlantik do të thellohet.
“Rruga drejt integrimit në BE mund të jetë sfidueseve por ajo nuk ka alternativë për Kosovën”, tha ai.
Kurti prezantoi kabinetin qeverisës të përbërë nga 15 ministri, pesë prej të cilave janë propozuar që të udhëhiqen nga gra.
Kabineti Kurti
- Zëvendëskryeministër i parë, për Integrimin Europian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi
- Zëvendës Kryeministre e dytë, dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla
- Zëvendëskryeministre e tretë, për Çështje të Pakicave dhe Të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi
- Ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati
- Ministre e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu
- Ministër i Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia
- Ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci
- Ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku
- Ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi
- Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu
- Ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci
- Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj
- Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla
- Ministre e Ministrisë së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari
- Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli
- Ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, rezervuar për një deputet të subjektit Lista Serbe
- Ministër i Ministrisë për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




