Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën (15 janar) kanë miratuar rezolutën që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime lidhur me referendumin e Serbisë për ndryshime kushtetuese.
77 deputë ishin të pranishëm në sallë gjatë votimit të kësaj rezolute në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti.
Për këtë rezolutë, nga deputetët nuk pati vota kundër përveç një abstenimi.
Rezoluta u propozua nga katër grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupit Multientik.
Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës duke e quajtur shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.
Rezoluta e Kuvendit të Kosovës
1. Kuvendi si përfaqësues i qytetarëve shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovë cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës dhe është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe normat ndërkombëtare.
2. Kuvendi kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të ndërmerren veprimet për të mos lejuar cenimin e sovranitetin dhe rendin kushtetutës nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Kosovës.
3. Kuvendi thekson përkushtimin e Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Kosovës në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.
4. Kuvendi në këtë frymë vë në pah të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare, në rastin konkret, qytetarëve serbë që kanë shtetësi edhe të Serbisë u garantohet e drejta të votojnë përmes postës dhe zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
5. Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës dhe përfshirja e strukturave ilegale në një organizim të tillë përbën shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës të Kosovës dhe praktikave ndërkombëtare.
6. Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serbë të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Kosovës.
7. Kuvendi mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetjen për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Kosovës sepse vetëm duke u trajtuar të barabartë të gjitha shtetet e rajonit mund t’u garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma euro-atlanatike e rajonit. Kërkojmë nga Qeveria të vazhdojë bashkërendimin me partnerët strategjikë të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe sovranitetit shtetëror.
8. Kuvendi mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të drejtave të qytetarëve dhe garantimin e demokracisë dhe vazhdimin e agjendës euro-atlantike të rajonit tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.