Politike

Kuvendi miraton Kalendarin e Punimeve, opozita braktis sallën

Nga Gazeta ‘Si’- Mazhoranca kaloi me shumicë votash kalendarin dhe programin e punimeve të Kuvendit për muajin e ardhshëm, ndërsa opozita braktisi sallën në momentin që po mbante fjalën kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla.

Ndër të shumtave, Balla iu përgjigj akuzave të Flamur Nokës për një takim të socialistëve me trafikantë droge në Maruba, si dhe debatit të bërë më parë në Konferencën e Kryetarëve për ndryshimin e procesit të raportimit të institucioneve të drejtësisë në Kuvend.

Deputeti i PS-së tha se ndryshimet janë thelbësore për mirëfunksionimin e Kuvendit dhe se për këto ndryshime, opozita ka rënë dakord më parë, por tani e mohon.

“E kapëm dhe një rekord tjetër si seanca më e gjatë për miratimin e kalendarit. Dëgjova me vëmendje disa prej deputeteve që bërtisnin që ‘kemi 1 muaj qe kemi ardhur’, ju ka lënë Luli me probleme në matematikë.

Tani ja arritët qëllimit, e bërë rrëmujën pa ditur se për çfarë jemi mbledhur të diskutojmë, Noka mori fjalën në emër të saj që ka mbetur ‘rafmet pastë’ PD dhe foli këtu për programin. Fiksim e ka pas gjithë jetën të shkojë në Aruba me pushime dhe ‘Aruba Aruba Aruba’. Të kesh dijeni për diçka të tillë, minimalisht do thuash emrat dhe do bësh kallëzim dhe do shkosh në SPAK.

Kemi ngritur 11 komisione, kishim rënë dakord këtu 4 vite më parë për t’i ndryshuar dhe për ti dhënë rol të ri komisioneve në Kuvend. Më vjen mirë që Xhafaj nuk reagoi. Ai është një prej kryetarëve të komisioneve. Ai komision duhet të ishte ngritur më parë. Ishim i vetmi parlament që nuk kishim një komision të posaçëm për kërkesat e nismave qytetare. Këta e kanë votuar, por nuk dinë çfarë kanë votuar.

Janë të vetmit që bëjnë propozime dhe nuk rrinë të votojnë për propozimet e veta. Për raportimin e institucioneve, Kuvendi në këtë mandat, duhet t’ia ndryshojmë faqen raportimeve. Mjaft me histori të vjetër. Do ketë dy komisione përgjegjës. Mbledhjet do të jenë të përbashkëta”, tha Taulant Balla.

Me shumicë votash, u miratuan punimet nga data 29 shtator-17 tetor 2025 dhe seanca e sotme u mbyll nga kryeparlamentari Niko Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë