Politike

Kuvendi mblidhet online, konferenca miraton grafikun për aktet normative

Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe grafikun e shqyrtimit te akteve normative me fuqinë e ligjit ne komisionet e perhershme parlamentare  Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, sot u zhvillua Konferenca e Kryetarëve. Konferenca u zhvillua online, nëpërmjet programit Cisco Webex.

Pasi i njohu anëtarët e Konferencës me rendin e ditës, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, nënvizoi se “Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të funksionojë dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Veprimtaritë parlamentare do të zhvillohen online. Po kështu edhe mbledhjet e komisioneve të përhershme. Kjo do të kërkojë prezencën fizike në Kryesinë e Kuvendit të kryetarëve të komisioneve. Gjatë shqyrtimit të akteve normative dhe projektligjeve të tjera kërkesat për pjesëmarrjen e ministrave mbeten të pandryshuara, pra të njëjta me situatat normale. Në varësi të ecurisë së mbledhjeve të komisioneve si edhe të evoluimit të situatës së pandemisë COVID-19, do të vendosim edhe për zhvillimin e seancës së ardhshme plenare”, tha Ruci.

Në mbledhje u miratua edhe grafiku i  të komisioneve të përhershme parlamentare, për shqyrtimin e akteve normative me fuqinë e ligjit. Konferenca, sipas njoftimit, u zhvillua në frymën e një mirëkuptimi të plotë në lidhje me priotitetet e veprimtarisë së Kuvendit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme: miratimi i akteve normative të Këshillit të Ministrave, miratimi i projektligjeve që lidhen me situatën e pandemisë COVID-19 dhe ratifikimi i marrëveshjeve me organizata dhe institucione ndërkombëtare, të cilat janë emergjente.  Ruçi, porositi që për vendimet e Konferencës së Kryetarëve të informohen të gjithë deputetët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë