Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi do të mblidhet dy herë sot. Në orën 10:00, do të shqyrtohet nisma e opozitës për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe ku do të prezantohen dy raportet e PS dhe PD.
Demokratët pretendojnë 5 shkelje të rënda të rregullores nga Peleshi dhe i kanë përqendruar argumentet e tyre në dy seancat e 16 dhe 18 shtatorit, ku u ndryshua rregullorja që e çoi numrin e komisioneve të përhershme parlamentare në 11, dhe mosrealizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës ‘Rama 4’.
Më konkretisht, sipas PD, Peleshi ka thirrur mbledhjen e Kuvendit për ndryshimin e rregullores si dhe mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pa respektuar afatin e parashikuar, iu ka hequr të drejtën për të folur deputetëve dhe kreut të Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, si dhe nuk ka mundësuar prezantimin e programit qeverisës. Bardhi s’do të jetë as sot në seancë për shkak të përjashtimit.
Por PS thotë se ishte opozita që e bëri të pamundur zhvillimin normal të seancave.
Në raportin e tyre, socialistët argumentojnë se kryetari i Kuvendit nuk ka kryer asnjë shkelje që pretendon PD dhe se i ka zbatuar me përpikmëri të gjitha përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore në drejtimin e seancave plenare. Në fund socialistët i kërkojnë seancës plenare rrëzimin e kërkesës për shkarkimin e Peleshit. PS-së i mjaftojnë vetëm 71 vota për të mbajtur në detyrë kryeparlamentarin.
Ndërsa në orën 11:30, pritet të nisë raportimi is disa institucioneve. Së pari do të raportojë kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, e cila nuk mundi të raportonte në seancën e shkuar. Pritet që të prezantohet edhe raporti i Avokates së Popullit për 2024, Erinda Ballanca.
Po ashtu, do të paraqiten edhe raportet e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, i Institutit të Statistikave, i AMA-s dhe RTSH-së. Në rend dite janë edhe disa projektligje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



