Kosova

Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin për ndalimin e pijeve energjike për personat nën 18-vjeç

Nga Gazeta ‘Si’ – Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë projektligjin për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat nën moshën 18-vjeçare.

Në seancën plenare të Kuvendit, 62 deputetë të Kuvendit votuan për miratimin e këtij projektligji i cili do t’ua ndalojë konsumin e pijeve energjike personave nën 18-vjeç.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli tha se ky projektligj parashikon kontrolle të rrepta që të ndalohet konsumimi i pijeve energjike nga të miturit.

“Projektligji për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën 18-vjeç ka për qëllim të mbrojë shëndetin e fëmijëve dhe grupeve të ndjeshme ndaj efekteve negative që sjellin pijet energjike. Ky projektligj synon të mbrojë shëndetin publik dhe përfshinë ndalimin e konsumimit të këtyre pijeve nga fëmijët dhe kontrolle të rrepta në prodhimin, shpërndarjen dhe reklamimin e këtyre produkteve”, theksoi Pacolli.

Ajo tha se ky projektligj nuk bie ndesh me ndonjë akt primar apo sekondar të Bashkimit Evropian teksa shtoi se për këtë projektligj janë zhvilluar konsultime të ndryshme publike.

Sipas deputetes Pacolli, Komisioni për Mjedis e kishte shqyrtuar këtë projektligj në shtator të vitit 2024.

Kosova përveç që importon pije energjike nga vendet e huaja, ka edhe disa kompani prodhuese të kësaj kategorie të pijeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë