Kosova

Përvjetori i çlirimit të Kosovës, Osmani: Para 25 vitesh Europa lindi në një Prishtinë të lirë!

Nga Gazeta ‘Si’ - Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne më 12 qershor për nder të 25-vjetorit të Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Seanca nisi me këndimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnit shtetëror të Kosovës, si dhe me një minutë heshtje për të gjithë të rënët në luftën e viteve 1998-’99.

I pranishëm në seancë ishte edhe shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker.

Walker luajti rol kyç në dokumentimin e masakrës në Reçak të Shtimes, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit 1999. Walker e cilësoi ngjarjen si krim kundër njerëzimit.

Të pranishëm ishin gjithashtu edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, si dhe ish-president i Kroacisë, Stipe Mesiç.

Në fjalën e saj, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi se hyrja e ushtarëve të NATO-s më 12 qershor në Prishtinë tregoi se bota nuk e kishte harruar Kosovën, ndërsa tha se ushtarët e NATO-s s’ishin vetëm ushtarë, por shpëtimtarë që sollën me vete premtimin për liri.

Osmani ka kujtuar edhe të rënët për liri, si dhe “rezistencën këmbëngulëse të  presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova për liri, demokraci dhe Kosovën e pavarur”.

"Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte një dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë.

Liria është më shumë se një fjalë, është vetë thelbi i qenies sonë. Është ajri që thithim, është ëndrra që guxuam ta ëndërrojmë, është  e ardhmja që aspiruam. Çlirimi i Kosovës më 12 qershor 1999 nuk ishte thjesht një fitore ushtarake, por ishte triumfi i shpirtit njerëzor mbi tiraninë, triumf i të mirës ndaj të keqes dhe i drejtësisë mbi shtypjen. Kur paqeruajtësit e KFOR-it shkelën në tokën e Kosovës së  përgjakur, të dërmuar, e të shkatërruar, lotët, britmat, lulet dhe përqafimet që i pritën ushtarët e NATO-s, krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë.

Kolonat e makinerisë ushtarake, zhurma e helikopterëve, uniformat me  flamuj të shumtë, u shndërruan në simbol të shpëtimit të popullit të Kosovës nga shfarosja nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke e larguar njëherë e përgjithmonë makinerinë gjenocidale të Millosheviçit, të turpëruar dhe të kapitulluar.

NATO-ja ishte një dritë shprese – një shans për drejtësi, një shans për liri", deklaroi ajo.

Osmani tha se atë ditë afro 38 mijë ushtarë nga 36 shtete, komunikuan me gjuhën universale, me gjuhën e lirisë.

"Atë ditë, siç thoshte filozofi dhe shkrimtari francez Andres Glucksman 'Evropa lindi në një Prishtinë të lirë'. Sot mund të themi, Evropa lindi në një Kosovë të lirë. Ndaj në këtë ditë, do ta kujtojmë përherë rezistencën këmbëngulëse të  presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova për liri, demokraci dhe Kosovën e pavarur.

Do ta kujtojmë heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, të cilët u bën gurthemeli i lirisë sonë.

Do të jetojmë gjithnjë edhe me kujtimin për të gjithë dëshmorët e UÇK-së,  mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës", tha Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë