Politike

Kuvendi i Berishës, votohet për ndryshime në statut dhe Këshillin e ri, pritet rikthimi i të larguarve  

Ish-kryeministri Sali Berisha mbledh të shtunën Kuvendin Kombëtar ku zyrtarisht njoftohet se do të marrin pjesë 1800 delegatë, nga këta 1000 të zgjedhur nga degët e PD dhe 800 të tjerë nga anëtarët aktualë të Këshillit Kombëtar, plus delegatët e forumit Rinor dhe Gruas.

Kuvendi nis në orën 10.00 të së shtunës dhe do të mbajnë fjalën 20 folës.

Nga PD njoftohet se ndër ta do të ketë figura të rikthyer në PD, themelues, personalitete nga jashtë dhe të rinj, por nuk kanë bërë publike ende emrat.

Më heret Berisha tha se ishte ftuar në parti Jozefina Topalli, Arben Imami dhe Astrit Patozi.

Ky i fundit e ka refuzuar ftesën për rikthim.

Pikë e rendit të ditës do të jetë votimi për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar që do të nisë në orën 13.00 të mesditës.

Kuvendi do të propozojë gjithashtu ndryshime statutore që në thelb kanë kooptimin në Këshillin e ri Kombëtar të deputetëve aktualë dhe kryetarëve të zgjedhur në degë.

Përveç tyre, lista e re e Këshillit Kombëtar pritet të ketë 150 emra anëtarësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë