Politike

Kuvend, opozita: Përmbytjet e nëntorit, pasojë e papërgjegjshmërisë së shtetit

Përmbytjet dhe dëmet e shkaktuara nga moti i keq javët e fundit kanë qenë pjesë e debateve në kuvend, ku deputetët e opozitës kanë akuzuar qeverinë për neglizhencë në marrjen e masave për minimizimin dhe parandalimin e dëmeve nga reshjet intensive.

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, në fjalën e mbajtur në Kuvend, iu drejtua bujqve dhe fermerëve të Qarkut Lezhë duke thënë se janë përballur jo vetëm më fuqinë e natyrës, por dhe me dobësinë e një shteti në gjunjë dhe një pushteti pas shqisa.

“Ajo që ndodhi ditët e fundit është fatkeqësi e stimuluar. Është pasqyrë e qartë e korrupsionit dhe e dështimit të pushtetit lokal dhe qendror. Një histori e përsëritur, ku qytetarët vuajnë ndërsa përgjegjësit fshihen pas premtimeve boshe, lekëve të zhvatura. Përmbytjet nuk erdhën papritur. Ndodhi ajo që ndodh kur pushteti nuk investon, por merr, kur nuk dëgjon, por flet, kur nuk vlerëson rrezikun por e vesh me një premtim të ri”, tha Gjekmarkaj, duke shtuar se në Lezhë nuk ka pushet lokal, nuk ka ministri bujqësie, mbrojtje dhe as emergjenca civile.

Ndërsa deputeti demokrat Bujar Leskaj akuzoi qeverinë për mosinvestime, për korrupsion në tenderimet e hapura për mirëmbajtjen e kanalizimeve kulluese, të pompave e hidrovorëve. Ndër të tjera, deputeti tha se qytetarët e prekur nga përmbytjet nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim nga shteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë