Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese do të mblidhet këtë të enjte për çështjen e shkarkimit të presidentit Ilir Meta, vendim që u mor nga Parlamenti i legjislaturës së kaluar. Kushtetutesja do të vazhdojë shqyrtimin e këtij vendimi pas seancës maratonë të datës 1 shkurt.
Sot, trupa gjykuese e Kushtetueses do të dëgjojë argumentet e presidentit përse ai e quan antikushtetues shkarkimin nga Parlamenti në qershor 2021, pasi Komisioni Hetimor i ngritur prej tij arriti në përfundimin se kreu i shtetit kishte shkelur rendë Kushtetutën me qëndrimet dhe deklaratat e mbajtura gjatë procesit zgjedhor të 25 prillit.
Vetë kreu i shtetit, e ka nisur ditën e sotme me një mesazh në rrjetet sociale. “Mirëmëngjes të dashur miq! Kryesorja në jetë të ruajmë 1 dhe të mos e kemi mendjen te shtimi i zero, sepse pa 1 gjithçka zhbëhet në zero absolute”, shkruan Meta.
Në seancën e 1 shkurtit, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e përfaqësuesit ligjor të Presidentit, që kërkoi shkarkimin e trupës gjykuese.
Ndërsa presidenca kërkoi përjashtimin e gjyqtarëve që sipas tyre nuk plotësojnë kushtet ligjore për të qenë pjesë e procesit.
Po ashtu nga presidenca u kërkua që për shkak se shkarkimi i Metës ishte bërë nga një Parlament të cilit i ka përfunduar mandati në shtator të 2021, duhet kërkuar një autorizim nga Parlamenti aktual për të legjitimuar vazhdimin e procedurës së shkarkimit nga Kushtetuesja. Për këtë pretendim të presidentit, gjykata tha do të shprehet në vendimin përfundimtar këtë të enjte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




