Politike

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Sali Berishës për shfuqizimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimin e bërë nga kryedemokrati Sali Berisha kundër masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, kërkuar nga SPAK e miratuar nga Gjykata e Posaçme për të.

Berisha kërkonte shpalljen antikushtetues të vendimit që u mor në kuadër të hetimit të Prokurorisë së Posaçme për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, që e la atë për 11 muaj në arrest shtëpie.

Por Kushtetuesja në vendimin e marrë pasditen e sotme, argumenton se me shumicë votash vlerësoi se këto pretendime të ngritura nga pala mbrojtëse e kreut të PD nuk janë të bazuara.

Berisha fitoi lirinë më 27 nëntor të vitit të kaluar, kur Gjykata e Posaçme në seancën paraprake vendosi t’i heqë masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por Apeli i Posaçëm në 3 janar riktheu masën “detyrim paraqitje” ndaj tij.

Sakaq, në një seancë të zhvilluar më 21 nëntor 2024, Gjykata Kushtetuese rrëzoi edhe kërkesën e Berishës për sa i takon masës detyrim paraqitje, ndërsa ndalimin e daljes jashtë vendit e shpalli joproporcionale, duke i kthyer pasaportën kreut të PD. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë