Politike

Kushtetuesja me 7 anëtarë, KED i çon emrin, Meta dekreton Sonila Bejtjan

Ditën që Zhaklina Peto paditi për herë të tretë KED në Gjykatën e Apelit Administrativ, duke pretenduar se ndryshe nga vendimi i dhënë ndaj saj, ajo nuk ka dhënë dorëheqjen nga gara për Kushtetuesen, KED i çoi Presidentit të Republikës, kandidaturën tjetër për Gjykatën Kushtetuese, Sonila Bejtja.

Prej kohësh, Bejtja dhe Peto ishin në garë për vendin e 7-të të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas KED, ndaj Zhaklina Petos kishte përfunduar procedura e verifikimit, vlerësimit pasi ajo kishte dhënë dorëheqjen nga gara.

Vetë Peto nuk ishte paraqitur në mbledhje, duke dorëzuar një raport, për shkak se ajo ishte infektuar me Covid-19. Pas ketij vendimi ne gare mbeti vetem kandidatura e Sonila Bejtjas.

Të hënën pas shqyrtimit të emrit të saj, KED çoi zyrtarisht emrin e Bejtjas për dekretim tek Meta përmes një vendimi që mund të kuptohet ndër radhë.

“Këshilli vijoi më intervistimin e kandidates tjetër, Zj. Sonila Bejtja e cila është paraqitur sot përpara anëtarëve të KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit dhe prezantuar platformën e saj në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese dhe vlerësimit të njohurive në gjuhën angleze. Pas përfundimit të intervistimit të kandidates, KED vijoi me procedurën e pikëzimit dhe renditjes.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve bëri pikëzimin e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 dhe miratoi vendimin përkatës.

KED vijoi me miratimin e vendimit mbi listën përfundimtare të renditjes dhe raportit përkatës, i cili do t’i dërgohet menjëherë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet ne njoftimin e KED.

Vetëm pak ore pas depozitimit të emrit në Presidencë, Ilir Meta ka vënë firmën.

“Presidenti Meta, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi; si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë, e mbi të gjitha në mënyrë të qëndrueshme të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të shqyrtimit vendosi:

Zonja Sonila Bejtja të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese”.

Pak ditë më parë me emërimin e Përparim Kalos nga Presidenti Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese rifitoi funksionalitetin falë plotësimit të kuorumit me 6 anëtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë