Nga Gazeta ‘Si’– Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në detyrë Belinda Ballukun.
Kushtetuesja riktheu në detyrën e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Ballukun, pas vendimit për të shqyrtuar ankimimin e bërë nga Kryeministri Edi Rama.
Vendimi u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim ankimin e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO-së që pezulloi Belinda Ballukun nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.
Trupa e gjyqtarëve të Kushtetueses u nda 5 me 3, ndërsa tashmë pritet të caktohet edhe relatori i çështjes dhe se kur do të nisë shqyrtimi.
Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilin kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër.
Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv, dhe se GJKKO ka marrë attribute që nuk ia njeh Kushtetuta. Qeveria nuk e ka ankimuar në Kushtetuese masën tjetër të sigurisë për ndalimin e daljes jashtë shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




