Nga Gazeta Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me dërgimin në Kushtetuese të vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, pasi u mor e pandehur nga SPAK.
Rama rithekson se është rast unikal në botë dhe sipas tij, lufta ndaj korrupsionit nga ana e drejtësisë së re, nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar.
Njëjtë si më herët, ai nënvizon sot, 2 dhjetor, se me këtë vendim, GJKKO-ja ka cenuar parimet kushtetuese, ka prishur balancën mes pushteteve të pavarura dhe ka ndërhyrë brutalisht në procesin qeverisës.
Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës – për më tepër edhe i shkallës së parë fare – pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie!
— Edi Rama (@ediramaal) December 2, 2025
Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën…
“Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës – për më tepër edhe i shkallës së parë fare – pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie!
Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri!
E pra, pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci. Me ndryshimin që kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës.
Le të jemi të qartë:
Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë. Ky mësim nuk duhet harruar kurrësesi. Nga askush”, shkruan ai.
Këtë të martë, Kolegji vendosi që çështja e Ballukut t’i kalojë trupës gjykuese të Kushtetueses, të cilët do e shqyrtojnë në një mbledhje për të cilën ende nuk ka njoftim zyrtar se kur dhe se si do të zhvillohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



