Drejtësia

Kushtetuesja hap ‘korsinë e shpejtësisë’ për në Strasburg: Vettingu e reforma në drejtësi, jo argument për zvarritjen e proceseve gjyqësore

Zbardhja e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese ka shtruar korsinë e shpejtësisë për në Strasburg për dhjetra dosje gjyqësore që janë zvarritur e shtyrë në kohë në Shqipëri prej 2016-s e këtej për shkak të procesit të vettingut dhe reformës në drejtësi.

Sipas vendimit numër 35 të Gjykatës Kushtetuese, marrë në fillim të muajit nëntor të këtij viti, reforma në drejtësi apo ngarkesa për shkak të numrit të lartë të çështjeve nuk mund të përdoren si argumente për të përligjur vonesat dhe zvarritjen në kohë në shqyrtimin e tyre.

“…e drejta për një proces të rregullt ligjor, pjesë e të cilit është edhe gjykimi brenda një afati të arsyeshëm, luan një rol qendror në sistemin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, thotë Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të plotë.

Sipas këtij vendimi, këto zvarritje shkelin nenin 42 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që Shqipëria e ka ratifikuar prej kohësh. Pikërisht shkelja e nenit 6 të kësaj konvente mund të shpërbejë si objekt që potancialisht të rrisë paditë ndaj shtetit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut.

Gjykata Kushtetuese ka theksuar se këto dy nene vendosin detyrimin për organizimin e sistemit ligjor të vendit në mënyrë të tillë që gjykatat të plotësojnë kërkesat e standardeve për një proces të rregull ligjor, përfshirë këtu edhe atë të gjykimit brenda afatit të arsyeshëm.

Sipas këtij arsyetimi, në Shqipëri gjykatat potencialisht mund të kenë shkelur parimin e gjykimit brenda afateve të arsyeshme kohore dhe rrëzon justifikimin e reformës në drejtësi, procesit të vettingut dhe mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve të përdorur rëndom nëpër procese gjyqësore për shtyrjen e tyre vitet e fundit.

Kushtetuesja ka vlerësuar gjithashtu se numri i lartë i çështjeve që kanë në ngarkim këto gjykata, nuk mund të përdoren si argumente për të përligjur vonesat në shqyrtimin e çështjeve.

“Ngarkesa e gjykatave nuk është argument kushtetues që mund të justifikojë mosgjykimin e çështjeve brenda afateve të përcaktuara nga ligjvënësi. Në të kundërt, është detyrë e këtij të fundit të marrë masat dhe të gjejë mjetet e duhura për ndryshimin e gjendjes faktike me qëllim që ligjet të zbatohen dhe gjykatat e të gjitha niveleve të funksionojnë normalisht”, thotë ajo.

Për këtë vendim, Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga padia e dorëzuar nga shtetasi Sleman Gazidedja, i cili ngriti pretendimet e shkeljes së aksesit në gjykatë, shkeljes së parimit të afatit të arsyeshëm për gjykim në betejën ligjore me Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.

Strasburgu vetë ka ndëshkuar me gjobë në të paktën dy raste shtetin shqiptar, me arsyetimin se mosfunksionimi i gjykatave për shkak të reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut nuk është argument që mund të përdoret për shkelje të nenit të gjashtë të Konventës së të Drejtave të Njeriut, që ka të bëjë me gjykimin brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Gjykata e Strasburgut ka bashkuar dy padi të ngritura pranë saj, e para çështje civile e ngritur nga mjeku dhe pedagogu i Universitetit të Mjekësisë, Petrit Bara dhe e dyta çështje penale e ngritur nga shtetasi Eduard Kola i dënuar për pengim të drejtësisë në zbardhjen e një vrasjeje të ndodhur në shtator të 2011.

Bara mori pjesë në zgjedhjet për rektor të Universitetit të Mjekësisë në 2016, ku nuk fitoi dot. Ai kundërshtoi rezultatin në disa procese gjyqësore në gjykatat administrative brenda vendit duke akuzuar për parregullsi në proces. Kërkesat iu rrëzuan deri në momentin që e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë në 2016. Kjo e fundit nisi shqyrtimin e padisë së tij vetëm në shkurt të këtij viti.

Qeveria nuk kundërshtoi pretendimin e shkeljes së nenit 6 të Konventës së të Drejtave të Njeriut, por u mbrojt në këtë proces duke dhënë si argument procesin e vettingut dhe reformën në drejtësi për të rrëzuar pretendimin financiar të ngritur nga pedagogu Bara.

Vonesat në rastin e Eduard Kolës, i datëlindjes 1986, Strasburgu vëren se shkeljet janë më të rënda, edhe për faktin se bëhet fjalë për një çështje penale. Kola u arrestua dhe dënua pas gjetjes së vdekur të një rojeje guroreje në shtator të 2011. Pasi hetimeve, Kola dhe një person tjetër u akuzuan për vrasje me paramendim dhe zotërim të paligjshëm të armëve të gjuetisë dhe u dënuan me burg.

Por, në 2016, Gjykata e Lartë rrëzoi këtë vendim për mungesë provash dhe e ridërgoi për gjykim, duke udhëzuar që një ekspert të caktohet për të hartuar një raport mbi armën e krimit dhe të verifikojë gjurmët e gishtërinjve në të.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e Shkodrës la në fuqi vendimin me burg për të. Kola e ridërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë në mars të 2017. Vetëm në mars të këtij viti, Gjykata e Lartë e pranoi kërkesën, por nuk ka dalë ende me një vendim për këtë çështje.

Pasi dëgjon argumentet e Avokatit të Shtetit dhe arsyetimet e dhëna që lidhen me ngarkesën dhe me reformën në drejtësi, Gjykata e Strasburgut ka marrë vendim duke dëmshpërblyer dy paditësit, megithëse në shumë simbolike nga 1200 euro. Por, më shumë se për paratë vendimi është zyrtarizim se edhe për shkak të reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut, Shqipëria ka shkelur të Konventën e të Drejtave Themelore të Njeriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë