Ekonomi

Kushtet dhe kriteret e garancisë sovrane; kush përfiton dhe deri në ç’shumë

Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin për garancinë shtetërore të huasë me bankat e nivelit të dytë për pagat e bizneseve, të cilët janë dëmtuar si pasojë e epidemisë Covid-19. Në vendim përcaktohen kushtet dhe kriteret e marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit.

Për pagat e bizneseve, është krijuar Linja e Garancisë Shtetërore në vlerën 11 Miliardë Lekë.

Kryeministri është ai që miraton strukturën e posacme ndërinstitucionale, e cila do të monitorojë dhe raportojë ecurinë e Garancisë Shtetërore të Huasë.

Marrëveshja e Garancisë që lidhet  ndërmjet qeverisë dhe secilës prej Bankave pjesëmarrëse, bëhet për të përcaktuar kushtet e pjesëmarrjes së Bankave në këtë skemë garancie që administrohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Sipas VKM-së, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të marrë përsipër të garantojë Bankat deri në vlerën maksimale të miratuar për çdo bankë.

Kjo vlerë përfaqëson vlerën maksimale të pagesave, që mund të kryhen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për të kompensuar humbjet e Bankës nga huatë e këtij lloji.

Ndarja e vlerës së garancisë për çdo Bankë është bërë duke marrë në konsideratë tregun e kredisë, që zotëron secila nga Bankat, që funksionon në vend sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Duke qenë se nëpërmjet miratimit të Garancisë Shtetërore risku i kreditit i transferohet qeverisë, bizneset pjesëmarrëse në skemë do të kenë mundësinë të përfitojnë terma preferenciale për kreditë që do të merren për këtë qëllim, krahasuar me kushtet aktuale të tregut:

– Qëllimi i përdorimit të fondeve të Huasë do të jetë vetëm për të paguar pagat e punonjësve të Huamarrësit, bazuar në listëpagesat e procesuara pranë Bankave në muajin Shkurt.

– Vlera e Huasë e vendosur në dispozicion nga Bankat për çdo Biznes pjesëmarrës mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Biznesi, por duke mos tejkaluar vlerën e 3 pagave mujore bruto të punonjësve të deklaruar prej Biznesit në përputhje me Legjislacionin Tatimor në fuqi, por në asnjë rast vlera mujore bruto e pagës për punonjës nuk duhet të jetë më e lartë së 150 000 lekë.

– Termat dhe kushtet e Huasë do të përcaktohen në Marrëveshjen e Huasë, e cila do të nënshkruhet ndërmjet Bankës dhe Biznesit, në përputhje me Marrëveshjen e Garancisë.

– Në cdo rast dhënia e kredisë do të realizohet sipas politikave të brendshme të çdo banke në lidhje me riskun e kredisë, por bankat e nivelit të dytë do të sigurojnë procedura të thjeshtuara dhe kohë shumë të shpejtë të procesimit të kerkeses së kredisë.

– Në instrumentin e kredisë së garantuar nga kredia sovrane, biznesi mund të përfitojë një periudhë pa pagesë principali, jo më pak se 3 muaj.

– Marrëveshja parashikon edhe shqyrtimin e nevojës së kërkesës së ristrukturimit përgjatë kohës së shlyerjes së kredisë, me aprovim të Bankës në momentin e analizës së riskut për këtë kërkesë.

– Bankat e nivelit të dytë nuk do të aplikojnë kosto administrative mbi kredinë dhe do të ofrojnë një normë interesi preferenciale, të barabartë me normën mesatare të interesit të tre ankandeve të fundit të bonove të thesarit 12 mujore plus një marzh prej 0.5%, por në asnjë rast jo më të lartë se 2.85%.

– Subjektet private duhet të përcjellin kërkesat e aplikimit për kredi pranë njërës prej bankave të nivelit të dytë, jo më vonë se 30 ditë nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Garancisë Shtetërore mes Këshillit të Ministrave dhe Bankës përkatëse.

Struktura e posacme ndërinstitucionale, e ngritur me urdhër të Kryeministrit, do të monitorojë, shqyrtojë dhe raportojë periodikisht ecurinë e Garancisë Shtetërore dhe do të mundësojë komunikim të përhershëm me Bankat.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka të drejtën, që pas 60 ditësh nga data e nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse, që raportohet nga struktura e posacme, të propozojë rialokime të shumave të garancisë nga huadhënësi, që nuk e ka ezauruar shumën e garancisë në favor të tij, tek huadhenesi(t), që e kanë ezauruar atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë