Ekonomi

Kush përfitoi nga kostot e larta të turizmit në Shqipëri?

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria rezulton vendi i dytë në rajon me kostot më të larta për turistët, pas Malit të Zi, për shkak të informalitetit të lartë dhe kostove të rritura të jetesës.

Sipas një studimi të fundit nga qendra kërkimore Altax, në vitin 2024, kosto mesatare e një turisti në Shqipëri ishte 247 euro, ndërsa në Mal të Zi 304 euro.  Por, analiza gjen se jo të gjitha këto shpenzime shkojnë tek familjet dhe bizneset shqiptare.

Sipas llogaritjeve nga Banka Botërore, e përafruar edhe nga llogaritjet e ekspertëve tanë vlerësohet se, në vitet e fundit afër 30% e buxhetit që shpenzon një vizitor i huaj për pushime në vendet ballkanike i përket bizneseve partnere me kapital të huaj. Ndërkohë, nga pjesa tjetër prej 70% e buxhetit që shpenzon çdo vizitor që hyn në këto vende, më shumë se gjysma e saj shkon për bizneset e mesme dhe të mëdha të vendit që kanë investuar në aktivitetet kryesore të industrisë së turizmit.

Konsumi i turizmit është i përqendruar kryesisht në familjet me të ardhura të mesme deri të larta të shoqërisë (përfshirë të pasurit).

Nga ky qarkullim i parasë kuptohet se pjesa që i takon bizneseve të vogla dhe të vetëpunësuarve shndërrohet nëpërmjet rritjes së industrisë në terma relativë, në një shpërndarje të të ardhurave nga më të pasurit tek më të varfrit, përmes shpërblimit të punës dhe shërbimit që ata kryejnë për turistët.

Në analizën e shpërndarjes së të ardhurave sipas nivelit të mirëqenies, flukset më të mëdha janë nga familjet me të ardhura të larta dhe të mesme drejt atyre me të ardhura të pakta, por jo drejt familjeve me të ardhura më të ulëta.

Ndërsa të varfrit dhe të paguarit pak nuk përfitojnë shumë nga turizmi, ata gjithashtu përfitojnë pak edhe nga aktivitetet e tjera tregtare të lidhura indirekt me turizmin, apo nga shpërndarja e fondeve të buxhetit.

Arsyeja e parë është e lidhur me faktin se vetë aktivitetet e lidhura indirekt me turizmin (bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit) përfitojnë pak nga vlera e shtuar që prodhon kjo industri, pasi të ardhurat qëndrojnë në masë të madhe brenda rrjetit të shoqërive dhe palëve të lidhura me to, që i shërbejnë direkt vizitorëve.

Arsyeja e dytë është se nga hyrja e të ardhurave në valutë të huaj në ekonomi ka një rishpërndarje në masë të pandjeshme nga buxheti për individët me të ardhura të ulta. Një pjesë e të hyrave turistike humbet në ekonominë informale dhe pjesa tjetër, që shkon në të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe ato vendore nëpërmjet tatimeve qendrore dhe taksave vendore shpenzohet për programe të tjera dhe ndikojnë pak në mënyrë direkte në rritjen e vlerës së pagesave sociale në proporcion me rritjen e të hyrave nga vizitorët.

Edhe pse fitimet janë të larta rimarrja e investimit është peng i vijimësisë së pasigurtë, pasi çmimet e akomodimit dhe ushqimit, që prireshin të ishin të lira për shkak të standardit të ulët të jetesës, në periudhën 2021 – 2024 rriten me 1 deri 2.3 herë.

Një faktor tjetër pse paratë nuk arrijnë në ekonominë lokale, është se qeveria shqiptare ka krijuar stimuj të shumtë fiskalë për gjithë turizmin, si dhe për projekte investimesh të veçanta si investitorë strategjikë, që ofrojnë nxitje pa taksa e tatime për zhvilluesit dhe investitorët e huaj e vendas. 30% e ekonomisë shqiptare (IMF, 2022) është informale.

Në këtë mënyrë, të ardhurat që ata fitojnë prej resorteve gjithëpërfshirëse rrjedhin jashtë vendit dhe ekonomia shqiptare fiton shumë pak. Si shembull, mund të përmendim tatim fitimin, taksat kombëtare dhe TVSH-në në nivele të ulta dhe kështu nga 4.2 miliardë euro prurje valutash në vend nga vizitorët e huaj, nga ekspertët tanë bazuar në të dhëna dhe analiza vlerësohet se rreth 50% e tyre largohen nga vendi, si riatdhesim kapitali në vendet e origjinës së pronarëve përfituesë.

Ndikimi i përgjithshëm ekonomik i turizmit është shuma e efekte të shkaktuara direkt dhe indirekt. Secili prej këtyre ndikimeve mund të matet, si ndikim në prodhimin bruto, të ardhurat tatimore, punësim ose si vlerë e shtuar në ekonomi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë