Taksa

Kush nxjerr naftë në Shqipëri, tani do të paguajë më shtrenjtë

Mbajtësit e një leje për nxjerrjen dhe shfytëzimin e naftës në Shqipëri do të kenë një faturë më të shtrenjtë; një rentë prej 10% të vlerës së tregut të nxjerrjes së naftës.
Ata do të paguajnë gjithashtu edhe tatim fitimin si çdo biznes tjetër në vend.

Kjo është një nga risitë e projektligjit “PËR REGJIMIN FISKAL NË SEKTORIN HIDROKARBUR” të hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, i publikuar për diskutim.

Projektligji ka në fokus kryesor rentën dhe tatim fitimin e kompanive që merren me nxjerrjen dhe shfrytëzimin e naftës në vend, duke marrë parasysh se koncesionarët e naftës në vendin tonë nuk kanë rezultuar asnjëherë me fitim ndër vite. Çështje që është debatuar përherë dhe me asnjë zgjidhje.

Me këtë projektligj qeveria rrit vigjilencën ndaj shfrytëzuesëve të naftës në vend për të transferuar në arkën e shtetit paratë që i mungojnë prej vitesh prej shfrytëzimit të pasurisë kombëtare.

Projektligji vjen pas një analize që i është bërë regjimit aktual fiskal në bashkëpunim me FMN-në. Fondi e vlerësoi një vit më parë regjimin, veçanërisht në drejtim të sigurimit të përfitimit më të madh për vendin nga burimet e veta hidrokarbure, pa dekurajuar investimet në sektor. Ai identifikoi natyrën hibride të regjimit dhe vështirësi të shumta me të.
Raporti i grupit të FMN-së paraqiti alternativat kryesore për reforma për adresimin e këtyre çështjeve. Alternativa e parë e paraqitur në raport synon të adresojë vështirësitë e sistemit aktual, ndërkohë që njëkohësisht është më pak penguese në kushtet e ndryshimit nga regjimi ekzistues. Kjo alternativë premton të sigurojë bazën më të mirë (ndërmjet alternativave) për të rinegociuar marrëveshjet ekzistuese. Gjerësisht, drafti i regjimit të ri zbaton alternativën e parë.

Sipas dokumentit, vendosja e rentës parashikohet për:

  1. Mbajtësi i një të drejte hidrokarbure duhet të paguajë rentë për naftën e nxjerrë në bazë të së drejtës.
  2. Renta llogaritet duke aplikuar një normë prej dhjetë për qind të vlerës së tregut të naftës së nxjerrë.
  3. Sasia e naftës së nxjerrë-
    a) matet në pikën e shpërndarjes siç parashikohet në marrëveshjen përkatëse hidrokarbure ose
    b) në mungesë të një dispozite të tillë, matet në pikën e caktuar nga Ministri përgjegjës për çështjet hidrokarbure.
  4. Nuk aplikohet rentë për:
    a) mostrat e naftës të marra për analizë, shqyrtim , ekzaminime ose testime të tjera, por renta paguhet nëse një mostër shitet dhe
    b) nafta që në përputhje me marrëveshjen hidrokarbure është –
    i) djegur ose çliruar në lidhje me operacionet hidrokarbure ose
    ii) përdoret drejtpërdrejt në të njëjtin operacion të veçantë hidrokarbur nga i cili nxirret.

Vlera e tregut e naftës së nxjerrë është çmimi me të cilin nafta shitet i reduktuar nga kostot e shkaktuara përtej pikës së lëvrimit(përmbledhje e kostove) ose nëse vlera e tregut e përcaktuar është më e ulët sesa çmimi që do të caktohej ndërmjet palëve të pavarura për një shitje në pikën e lëvrimit, çmimi në pikën e lëvrimit, përcaktohet duke zbatuar rregullat e transferimit të çmimit.

Kurse tatimfitimi për këta subjekte do t'i nënshtrohet ligjit në fuqi "Për tatimin mbi të ardhurat".

Projektligji parashikon se, të ardhurat dhe shpenzimet që rrjedhin dhe shkaktohen nga kryerja e aktivitetit duhet të ndahen midis operacioneve hidrokarbure dhe jo hidrokarbure, në mënyrë të tillë që të mos ketë mbivendosje.

Tatimi mbi fitimin nga operacionet hidrokarbure për një periudhë tatimore të caktuar llogaritet duke aplikuar shkallën tatimore 50 për qind të fitimit të tatueshëm nga operacionet hidrokarbure për këtë periudhë.

Fitimet e tatueshme nga operacionet hidrokarbure për një periudhë tatimore të caktuar llogariten si shumë totale e fitimeve të tatueshme nga secili prej operacioneve të veçanta hidrokarbure për këtë periudhë, duke përjashtuar humbjet.

Në dokumentin e financave sqarohet se, për qëllime të llogaritjes së fitimeve të tatueshme nga operacionet hidrokarbure:- çdo operacion i veçantë hidrokarbur trajtohet si një biznes i pavarur dhe personi duhet të mbajë të dhënat financiare për këtë biznes të ndarë nga çdo aktivitet tjetër ekonomik i tij.

Gjithashtu, personi duhet të llogarisë fitimin e tatueshëm, humbjen dhe detyrimin e tatimit mbi fitimin për biznesin në mënyrë të pavarur për çdoperiudhë tatimore.
Për të shmangur dyshimet, transferimi i një aseti në ose nga një operacion i veçantë hidrokarbur trajtohet si blerje dhe shitje e asetit.

Kur dy ose më shumë persona bashkërisht janë mbajtës të një të drejte hidrokarbure, ata duhet të llogarisin secili fitimet e tyre të tatueshme nga operacionet hidrokarbure që lidhen me këtë të drejtë, por duhet të veprojnë sikur të ishin palë të lidhura.
Fitimi i tatueshëm i një personi nga një operacion i veçantë hidrokarbur për një periudhë tatimore, llogaritet duke zbritur nga të ardhurat e kësaj periudhe nga ky operacion; shpenzimet e zbritshme të këtij operacioni për këtë periudhë dhe humbjet e lejuara nga operacioni të mbartura nga periudhat e mëparshme.

Me kusht që zbritja të mos kalojë 85 përqind të të ardhurave nga ky operacion për këtë periudhë.

Humbjet e lejuara mund të mbarten për një periudhë të pacaktuar derisa të përdoren për të zvogëluar fitimet e tatueshme .

Një humbje bëhet e palejuar deri në masën që përdoret për të zvogëluar fitimet e tatueshme.
Por, humbjet e lejuara nga një operacion i veçantë hidrokarbur nuk mund të zvogëlojnë fitimet e tatueshme nga ndonjë operacion tjetër hidrokarbur apo fitimet e tatueshme nga operacione jo hidrokarbure.

Humbjet nga operacione jo hidrokarbure nuk mund të zvogëlojnë fitimet e tatueshme nga operacionet hidrokarbure.

Të ardhurat e një personi nga një operacion i veçantë hidrokarbur për një periudhë tatimore, janë totali i shumave bruto të vlerës së tregut të naftës së nxjerrë gjatë periudhës nga operacioni. Plus shumat bruto që rrjedhin gjatë periudhës nga transferimi ose përdorimi i aseteve të tjera të operacionit, pamvarësisht nëse asetet janë të natyrës qarkulluese ose fikse dhe tarifat ose shumat e tjera që rrjedhin gjatë periudhës nga shërbimet, informacioni ose lehtësira të tjera të parashikuara gjatë kryerjes së operacionit. Si të ardhura në këtë rast parashikohet edhe kompensimi dhe të ardhurat nga sigurimet që rrjedhin gjatë periudhës në lidhje me operacionin; dhe në lidhje me një tepricë në një fond rehabilitimi, të çdo shume të parashikuar në nenin 16 të këtij Ligji.
Përjashtohen nga të ardhurat e një operacioni të veçantë të naftës: interesi dhe fitimet e tjera financiare, përfshirë shumën që trajtohet si e ardhur nga interesi dhe pagesa për transferimin e të drejtës së naftës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë