Një batutë e trajnerit Edi Martini të Teutës pas fitores së mbrëmshme të Sherif Tiraspolit ndaj gjigantëve të Real Madridit, ka risjellë në kujtesë pikën e nisjes së parrëllës së bukur të ekipit moldav. Ishte pikërisht stadiumi “Niko Dovana” vendi ku nisi kjo përrallë e ekipit që po çudit Europën në skenën më të madhe të kompeticionet të klubeve, Ligës së Kampionëve.
“Nuk e kam thënë, por po e them. Kush na mund ne, ecën përpara”, – shkruante me humor trajneri Martini në faqen e tij në Facebook pas fitores së Sherfit ndaj Realit.

Kur Sherifi fitoi 0-4 në Durrës në turin e parë eliminator, të gjithë folën për dobësi të theksuara të kampionëve të Shqipërisë, pa u marrë aspak me kundërshtarin, që edhe në momentin e hedhjes së shortit u konsiderua i kalueshëm. Një gjykim që vinte thjesht nga fakti se bëhet fjalë për një ekip moldav. Askush nuk e dinte realisht se çfarë hapash të mëdhenj përpara ka bërë ekipi më i madh në Moldavi dhe që mund të shërbejë edhe si një model për futbollin shqiptar.
Sherifi i Tiraspolit kaloi me radhë çdo pengesë pas Teutës, mundi edhe Dinamon e Zagrebit në “Play-off” për të shkuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Një arritje e jashtëzakonshme për këtë ekip dhe futbollin moldav, por nuk ka përfunduar me kaq.
Përralla vazhdon dhe duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Sherifi kryeson Grupin D në Ligën e Kampionëve me 2 fitore në 2 ndeshje, ndaj Shakhtarit dhe Real Madridit, duke lënë prapa dy këta kundërshtarë dhe Interin, me të cilin do të ballafaqohet në takimin e radhës. Italianët tashmë e kanë marrë leksionin.
Nga “Niko Dovana” 0-4 në “Santiago Bernabeu” 1-2. As vetë moldavët nuk mund ta kishin imagjinuar se do të ndodhte kjo gjë, por ja që futbolli dhuron edhe momente të tilla magjike…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




