Taulant Balla iu përgjigj një ditë më vonë akuzave direkte të Lulzim Bashës për lidhje të tij me 3.5 milionë eurot e padeklaruara të sekuestruara në dy makina tip Toyota në Portin e Durrësit gjatë së dielës.
Kreu i Grupit Parlamentar socialist jo vetëm që mohoi kategorikisht lidhjet me këtë ngjarje, por akuzon Bashën për lidhje me grupin e personave të arrestuar dhe të shpallur në kërkim për këtë rast.
“I them Bashës që në fund të kësaj historie ai ka ca lidhje me personat e përfshirë në këtë çështje”, deklaroi ai.
Balla nuk pranoi të flasë për këto lidhje, por tha se do t’i bëjë publike këto gjatë seancës parlamentare të se enjtes, ndërsa akuzon kreun e PD-së se dekonspiroi operacionin e policisë.
“Siç duket ka mbetur ende ndonjë militant në radhët e institucioneve ligjzbetuese që ka dërguar një mesazh një personi të papërgjegjshëm siç është Lulzim Basha, i cili vuri në diskutim operacionin, por shyqyr që Bashën nuk e marrin seriozisht as kriminelët”, vijoi deputeti socialist.
Përgjigjen Ballës ja dha nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka që nuk kurseu gjuhën e ashpër ndaj kolegut të tij në Parlament.
“Pse nuk zgërdhihet më derrkuci me Toyota??? Taulant Balla, një derrkuc i dhjamur nga paratë e drogës që pastron bashkë me bandën e Elbasanit, sot nuk u zgërdhi. Taulantit i ka ikur zgërdhirja. Taulantit i ishte tharë buzë e mezi fliste. Taulanti u përtyp e u përtyp si derrkuc i dhjamur i ngecur në baltë, po nuk tha asgjë, sepse derrkuci e di që ka ngecur në baltë”, deklaroi Paloka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.