Taksa

Kush jep banesa me qira në Booking në Shqipëri do të ngarkohet me TVSH

Nga Gazeta ‘SI’ - Të gjithë individët apo bizneset në Shqipëri që kanë listuar banesa në platformën Booking.com do të detyrohen të paguajnë TVSH për aktivitetin e tyre, nisur nga 1 nëntori 2023.

Këtë e ka bërë të ditur vetë platforma me seli në Holandë, me anë të një njoftimi për të gjithë përdoruesit (hostes) në Shqipëri.

LEXO EDHE:
- Pr.ligji i ri për turizmin/ Kush jep apartament me qira duhet të regjistrohet në QKB. Në të kundërt merr gjobë
- Taksë progresive edhe për ata që fitojnë nga TikTok, Airbnb, Booking e platformat e tjera digjitale. Njësoj dhe për punonjësit 'remote'

Sipas shpjegimit, Booking sqaron se “për shkak të ndryshimeve ligjore në Shqipëri,  çdokush i regjistruar me një numër NIPT/NUIS aty, duhet t’ja dërgojë atë platformës që të mos aplikohet në komisionin e shërbimit dhe rezidenti e paguan në vetë në Shqipëri”.

Në të kundërt, kur personi që bën listime në platformë nuk ka një NIPT,  TVSH-ja aplikohet në komision dhe Booking më pas ia paguan atë shtetit shqiptar.

Për një ndryshim të tillë, fillimisht Booking duhet të jetë biznes i regjistruar në Shqipëri dhe sipas burimeve për Gazetasi.al, kompania është në komunikim me ministrinë e Financave për të hapur një seli në kryeqytetin shqiptar.

Në njoftimin e platformës drejtuar shqiptarëve, nuk ka shumë detaje sqaruese, aq më pak nga autoritetet vendase, por nga ato pak të dhëna, ngrihen disa pikëpytje.

Fillimisht, nuk është e qartë sa do të jetë norma e TVSH-së për këtë aktivitet. Burime për Gazetasi.al thonë se do të jetë 20%, por zyrtarisht e pakonfirmuar.  Kjo normë është mjaft e lartë, krahasuar me TVSH-në që u ngarkohet hoteleve në vend, me funksion të ngjashëm. Hotelet, subjekte që operojnë në fushën e turizmit dhe kanë një aktivitet më të gjerë dhe të kushtueshëm, taksohen me një TVSH 6%.

Booking thekson se kjo taksë nuk do të ekspozohet në çmimin që shfaqet në platformë, por qartazi do të ushtrojë presion mbi çmimet në tregun vendas që do ta shtojnë atë në çmimin final të listuar.  TVSH-ja e zbritshme apo pjesërisht e zbritshme nuk aplikohet për këtë treg.  

Një tjetër informacion që mungon, por është tepër me rëndësi, është mënyra e aplikimit  të TVSH-së, nëse do të kryhet mbi çmimin e shërbimit apo mbi vlerën e tatuar.

Pak javë më parë, ky treg u bë dhe subjekt i tatim-fitimit, ku sipas ndryshimeve të reja në ligjin e taksave, të ardhurat nga qiradhënie me Airbnb, Booking etj, do të taksohen me 15%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë