Në një kohë që hidrantët në Los Angeles po thahen dhe zjarrfikësit po luftojnë me zjarret shkatërruese, koleksionistët e artit dhe miliarderët, Lynda dhe Stewart Resnick po përballen me kritika për zakonet e tyre të përdorimit të ujit dhe depozitave private të ujit. Shumë ekspertë thonë se kritikat janë të pabaza.
Resnickët janë pronarë të Wonderful Company, konglomerati që ka një vlerë deri në gjashtë miliardë dollarë. Me një pasuri totale prej 13 miliardë dollarësh, Resnickët janë familja më e pasur bujqësore në Kaliforni.
Ata zotërojnë rreth 185 mijë hektarë tokë dhe janë pronarë të shumicës së aksioneve në Kern Water Bank, një rezervuar uji në rreth 20 mijë hektarë në Luginën San Joaquin, rreth dy orë me makinë në veri të Los Angelesit.
Që kur ndërtuan perandorinë e tyre bujqësore, ata u bënë të njohur edhe si mbështetës të mëdhenj të artit. Ata grumbullojnë vepra të artistëve evropianë, muret e shtëpisë së tyre në Beverly Hills janë të zbukuruara me punime të Picassos, Jean-Honore Fragonard dhe François Boucher, dhe Artnews i ka renditur ata mes 200 koleksionistëve më të mëdhenj të artit.
Ata gjithashtu janë donatorë bujarë për muzetë në Los Angeles. Muzeu Hammer ka marrë rreth 30 milionë dollarë nga Resnickët gjatë viteve, ndërsa Muzeu i Artit të Qarkut Los Angeles (LACMA) ka marrë rreth 90 milionë dollarë.
Pavijoni i Ekspozitës Resnick në LACMA është projektuar nga arkitekti i famshëm Renzo Piano. Ai u hap në vitin 2010 dhe ka një sipërfaqe prej një hektari, duke e bërë atë hapësirën më të madhe muzeale të ndërtuar veçmas dhe me ndriçim natyral në botë.
Resnickët gjithashtu dhurojnë rregullisht për qëllime ekologjike. Në vitin 2019, ata dhuruan 750 milionë dollarë për Caltech për kërkime klimaterike.
Përkundër kësaj, Resnickët kanë qenë shpesh në qendër të kritikave për praktikat e tyre bujqësore dhe fitimet që kanë arritur që kur një hetim nga Mother Jones në vitin 2016 zbuloi se Wonderful Company përdor më shumë ujë se çdo kompani tjetër në Kaliforni. Në vitin 1994, Resnickët fituan 57 për qind të aksioneve në Kern, asokohe një rezervuar uji publik që ishte në prag të mbylljes, në këmbim të furnizimit me ujë për përdoruesit në Kaliforni.
Sot, Kern u ofron Resnickëve një qasje të shkëlqyer në ujë, duke u mundësuar atyre të vadisin 130 mijë hektarë tokë bujqësore. Disa kritikë dhe aktivistë pretendojnë se negociatat e çiftit me zyrtarët shtetërorë dhe drejtuesit e rajonit të ujit ishin “sekrete”.
Meqenëse efektet e ndryshimeve klimatike janë bërë më të dukshme vitet e fundit, dhe thatësira në jug të Kalifornisë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, janë shfaqur protesta publike kundër filantropisë së Resnickëve në LACMA dhe Hammer. Pas zjarreve historike të javës së kaluar në Los Angeles, që shteruan hidrantët e zjarrfikësve, kritikuesit e ringjallën shqetësimin për sasinë e madhe të ujit që grumbullon dhe përdor Wonderful Company.
“Resnickët janë të fuqishëm dhe kontrolli i tyre mbi një kaq shumë ujë, është absurd”, tha Yasha Levine, regjisori i dokumentarit të Pistachio Wars.
Collecteurs, platformë e artit online që prezantohet si “muzeu digjital kolektiv” i parë në botë, ka ndarë më 14 janar një postim në Instagram që përmend lidhjet e Resnickëve me botën e artit dhe pretendojnë se ata zotërojnë “gati të gjithë ujin në Kaliforni”. Postimi gjithashtu përfshin referenca për mbështetjen e tyre për Izraelin, veçanërisht në mes të luftës në Gazë.
Sa u përket pretendimeve se aksionet e Resnickëve në Kern Water Bank kanë ndonjë lidhje me zjarret në Los Angeles, Seth Oster nga Wonderful Company tha për revistën Fortune se “është më shumë e vështirë të jesh i befasuar nga dezinformacionet dhe padija në mediat sociale, por në këtë rast është arritur një nivel i ri absurd”. Oster shtoi se “pretendimet e rreme kundër kompanisë shpesh janë thellësisht të lidhura me antisemitizmin.”
Los Angeles merr ujë nga një rrjet me gjithsej 114 rezervuarë, përfshirë Kern, dhe të gjithë ishin plotësisht të mbushur përpara se të shpërthenin zjarret javën e kaluar. Jay Lund nga Universiteti i Kalifornisë në Davis tha për Fortune se uji nga Kerna nuk mund të ishte përdorur për shuarjen e zjarreve sepse është i ndarë nga Los Angeles nga malet San Gabriel.
Wonderful Company: Këto janë dezinformata
Wonderful Company ka lëshuar një deklaratë, ku konsiderohet se shqetësimi për përdorimin e ujit është “dezinformatë dhe padije në mediat sociale”. Kompania thekson se selia e saj është në Los Angeles, kështu që edhe punonjësit e saj kanë humbur shtëpitë dhe janë shpërngulur për shkak të zjarreve.
“Nuk ka asnjë të vërtetë në atë që ndonjë individ apo kompani, dhe aq më tepër ne, zotëron ose kontrollon shumicën e ujit në Kaliforni. Po ashtu, nuk është e vërtetë që kemi ndonjë lidhje me ujin që i shpërndahet Los Angelesit. Uji që është i destinuar për përdorim komunal nuk përdoret për qëllime bujqësore ose prodhimin e ushqimit”, thuhet në deklaratë.
Wonderful Company pohon se përdor më pak se një për qind të ujit në Kaliforni dhe prodhon më shumë se një çerek të ushqimit në këtë shtet amerikan. Kompania ka konfirmuar se zotëron 57 për qind të aksioneve në Kern Water Bank dhe ka thënë se ruan ujë që ndryshe do të përfundonte në det.
Zjarret e fundit, që mendohet të jenë më shkatërrueset në historinë e Los Angeles, kanë vrarë të paktën 24 persona, shkatërruar mijëra objekte dhe detyruar rreth 180 mijë njerëz të evakuohen. Zyrtarët thonë se reagimi ndaj zjarreve nuk është kushtëzuar nga mungesa e ujit, por nga sistemi i ujësjellësit që thjesht nuk ka kapacitet për të shpërndarë sasi kaq të mëdha uji në një kohë të shkurtër.
“Sistemi nuk është projektuar për të luftuar zjarret e pyjeve që prek komunitetin rezidencial”, tha Martin Adams, ish-drejtor i Departamentit të Ujit dhe Energjisë në Los Angeles.
Të premten, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, urdhëroi një hetim të pavarur mbi humbjen e presionit të ujit dhe rezervuarin e zbrazur Santa Ynez në Pacific Palisades, ku zjarri më i madh ende nuk është neutralizuar plotësisht. /Telegraf
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.