Gazeta Si – Negociatat e vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përfshijnë një sërë diplomatësh, delegatësh dhe zyrtarësh.
Ata përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara tw Amerikws, Rusinë dhe Ukrainën, secili me qëllime dhe interesa të ndryshme. Ja kush janë më të rëndësishmit, për t’ju ndihmuar të kuptoni se çfarë po ndodh.

Steve Witkoff
Ai është negociatori kryesor “de facto” i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, i ngarkuar me të gjitha çështjet më të rëndësishme diplomatike.
Ai negocioi armëpushimin në Rripin e Gazës midis Hamasit dhe Izraelit, i cili hyri në fuqi tetorin e kaluar, dhe gjithashtu ka qenë shumë aktiv në Ukrainë.
Nuk është diplomat, por një avokat i specializuar në pasuri të paluajtshme dhe një mik i hershëm i Trump. Në të kaluarën, ka demonstruar pikëpamjet e tij shpesh të paqarta mbi çështjet shumë të ndjeshme që trajton.
Në përgjithësi simpatizon më shumë Rusinë sesa Ukrainën: ai negocioi planin 28-pikësh, atë plotësisht të favorshëm për Rusinë, dhe sipas “Bloomberg”, ai gjithashtu udhëzoi zyrtarët rusë mbi strategjitë për të bindur dhe për të lajkatuar Trumpin.

Kirill Dmitriev
Ai ka qenë negociatori kryesor i Rusisë në javët e fundit, i cili që, së bashku me Witkoff, shkroi planin me 28 pika, duke ndikuar te delegatët amerikanë që ta bënin atë sa më të favorshëm për vendin e tij.
Edhe ai nuk është diplomat: është sipërmarrës, aktualisht drejtues i fondit shtetëror rus përgjegjës për tërheqjen e investimeve të huaja.
Kur Rusia filloi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Dmitriev u vu nën sanksione amerikane, por kohët e fundit ai është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm në negociata.
Kjo pjesërisht për shkak të rolit të tij, i cili i lejon atij të tërheqë administratën Trump duke premtuar investime dhe biznes në Rusi.
Plani me 28 pika madje parashikonte krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta ruso-amerikane për të bërë biznes në Ukrainë pasi të arrihej dorëzimi i vendit.

Andriy Yermak
Ai është shefi i stafit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski dhe me shumë mundësi këshilltari i tij më i ngushtë.
Ai ndoqi negociatat e fundit, veçanërisht ato të mbajtura gjatë fundjavës në Gjenevë të Zvicrës. Ishte ai, së bashku me Marco Rubion (Sekretari i Shtetit i SHBA-ve – më shumë rreth tij më vonë), që e transformuan planin jashtëzakonisht të favorshëm prej 28 pikash për Rusinë në një plan më të pranueshëm prej 19 pikash për Ukrainën.
Në të njëjtën kohë, Yermak është mjaft jopopullor në Ukrainë, ku shumë besojnë se ai ka grumbulluar shumë pushtet dhe ndikim mbi Zelenskin.

Marco Rubio
Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, ose ministri i Punëve të Jashtme. Gjatë gjithë karrierës së tij, ai ka qenë një republikan ndërhyrës në politikën e jashtme dhe, pas pushtimit rus, ai mori një qëndrim të qartë në favor të Ukrainës.
Megjithatë, për t’u bashkuar me administratën Trump, atij iu desh të zbuste qëndrimet e tij dhe shpesh e ndiqte Trumpin në sulmet e tij kundër Ukrainës.
Në negociatat e fundit, së bashku me Yermakun, ai megjithatë kontribuoi në ndryshimin e planit 28-pikësh, i cili fillimisht ishte shumë i favorshëm për Rusinë, të cilin ai vetë – në një bisedë private, të cilën më vonë e mohoi – e kishte quajtur një “listë dëshirash” ruse. Ai është, në fakt, përfaqësuesi i fraksionit më pro-ukrainas në administratën Trump.

Dan Driscoll
Ai është Sekretari i Ushtrisë Amerikane dhe mbikëqyr çështje jo-ushtarake, të tilla si buxheti, personeli dhe organizimi.
Megjithatë, Driscoll ka shumë më tepër ndikim sesa roli i tij zyrtar: ai ka marrë pjesë në të gjitha negociatat deri më tani, dhe në më shumë se një rast, ai ka qenë përfaqësuesi i caktuar i Trump për disa nga aspektet më të ndjeshme të negociatave.
Ky ndikim rrjedh nga fakti se Driscoll është një ish-shok klase në kolegj dhe mik personal i zëvendës-presidentit J.D. Vance.
Ndërsa Rubio përfaqëson fraksionin më të afërt me Ukrainën, Vance përfaqëson fraksionin më anti-ukrainas dhe izolacionist, i cili dëshiron të ndërpresë ndihmën për Ukrainën dhe i sheh vendet evropiane me dyshim.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



