Alarmi i parë i zjarrit ra fillmisht në Kineta, një qytet i cili ndodhet rreth një orë larg Athinës. Më pas, autoritetet morën telefonata alarmante për një vatër zjarri që kishte shpërthyer pranë gazsjellësve në afërsi të Rafinës, një qytezë e vogël në lindje të kryeqytetit grek. Pa kaluar ende një orë, zjarri kishte arritur në Neos Voutzas dhe duke u ushqyer nga erërat e forta, po zbriste si një rrjedhë lave drejt qytetit bregdetar të Matit.
Ndërkohë që grekët po mundohen të mbledhin forcat për t’i bërë ballë fatkeqësisë, shumë qytetarë po pyesin se si kishin shpërthyer njëkohësisht kaq shumë zjarre të shpërndara, dhe si u përhapën me shpejtësi kaq fatale. Dyshimet për zjarrvënien e qëllimshme u bashkuan me hidhërimin dhe dhimbjen e banorëve të dëshpëruar, të cilëve nuk u mbeti asgje tjetër veçse rrënojave të zjarreve, të cilat vranë më shumë se 80 persona. Zyrtarët dhe banorët presin që bilanci tragjik të rritet edhe më shumë, ndërkohë që ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për viktima, në mesim e më shumë se 2,500 shtëpive të djegura.
“Këto zjarre nuk janë aq të pafajshme”, u shpreh të hënën Nikos Toskas, Ministri grek i Rendit dhe Mbrojtjes, duke ngritur dyshime për përhapjen e shumë zjarreve të vogla. Dy ditë më vonë, ministria njoftoi se ka arrestuar katër persona, nën dyshimet për zjarrvënie të qëllishme. Por hetimi për shkakun e zjarreve, të cilat u fuqizuan për shkak të temperaturave përvëluese dhe erës së fortë, nuk do të fillojë derisa zona të jetë vënë nën kontroll. Grekët nga ana tjetër spekuluan se zjarret mund të ishin shkaktuar me qëllim nga pronarët e tokave që dëshironin të spastronin pyjet e mbrojtura për ndërtim.
Kaiti Milioni, një 55 vjeçare që zotëron një shtëpi verore në Mati, fajëson planifikimin urban për katastrofën.
“Nuk ka planifikim të rrugëve apo qyteteve, nuk ka rrugë evakuimi, shumica e shtëpive janë ndërtuar në vitet ’60, këto shtëpi duhet të ishin shkatërruar dhe ndërtuar përsëri nga e para”- tha zonja Milioni- Kemi ngritur këto shqetësime për vite, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”.
Sipas një studimi të një grup akademikësh dhe gjeografësh vendas, nga viti 1991 deri në 2004, rajoni i Atikës, i cili përfshin Athinën dhe zonat përreth tij, humbi 26 për qind të sipërfaqes pyjore,. Ata gjithashtu zbuluan se më shumë se 65 përqind e zjarreve në rajon kishin filluar për arsye të panjohura. Zjarrvëniet janë aq të shpeshta sa nuk është e padëgjuar që barinjtë të pranojnë se u kanë vënë zjarrin sipërfaqeve pyjore për të krijuar kullota për gjethët. Të mërkurën në mëngjes, policia patruloi zonën e Neos Voutzas, ku arrestoi katër persona nën dyshimet për se kishin plaçkitur dhe u kishin vënë zjarrin disa banesave. Disa banorë filluan të akuzonin autoritetet se u kishin ardhur në ndihmë shumë vonë dhe se nuk kishin urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të qytetarëve.
“Ata na lanë të vdisnim, policia dhe zjarrfikësit na lanë të digjeshim për së gjalli”, tha Rozmari Koloktroni, një banore që arriti të mbijetonte duke u hedhur ne det se bashku me familjen e saj. Sipas saj, oficerët e policisë u përpoqën të largonin njerëzit nga Mati duke krijuar një bllokim vdekjeprurës në rrugët që të çonin jashtë qytetit. “Kjo është arsyeja pse njerëzit u dogjën për së gjalli në makinat e tyre”, u shpreh ajo.
Kryebashkiaku i qytetit të Rafinës, Evangelos Bournous, ka pranuar se nuk ka pasur asnjë urdhër apo plan konkret evakuimi, por ka këmbëngulur se autoritetet kanë paralajmëruar njerëzit se duhet të largohen. Kati i parë i Bashkisë është shndërruar tanimë në një shtab vullnetar, nga ku banorët po furnizohen me ujë, bukë, qumësht të kondensuar, letër higjienike dhe pelena për fëmijë dhe të rritur. Ka edhe nga ata qyetarë që janë përleshur me njëri-tjetrin, mes akuzave se vijnë nga komunat fqinje. Në katin e dytë, Bournous u takua me sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste të Greqisë dhe një sërë politikanësh të tjerë, për t’u nisur më pas drejt Athinës, ku u takua me Kryeministrin Alexis Tsipras. Kryetari i bashkisë, shtëpia e të cilit u dëmtua po ashtu nga zjarret, tha se ishte shumë i shqetësuar për mundësinë e gjetjes së trupave të tjerë në shtëpitë e djegura. “Mendoj se numri i përgjithshëm i viktimave do të jetë shumë më i lartë,” tha ai.
Kjo fatkeqësi, dhe mënyra e tmerrshme se si gjetën vdekjen shumë nga banorët, kanë bërë bashkë pothuajse të gjithë grekët, pavarësisht bindjeve politike apo sociale.
“Nuk mund të gjej fjalë, jam e shkatërruar “, tha Mariana Vardinoyannis, gruaja e Vardis Vardinoyannis, një nga biznesmenët më të pasur dhe më të fuqishëm të Greqisë. Duke u larguar nga salla e bashkisë pas takimit me zotin Bournous, ajo tha se përveç viktimave, edhe dëmi ndaj pronës ishte i madh dhe se i kishte thënë kryetarit se fondacioni i saj privat do të dërgonte kompjutera, dhe gaz dhe mobilje në ndihmë të banorëve që humbën pothuajse gjithckka. E rrethuar nga përfaqësues të ambasadës amerikane dhe grupeve të diasporës greke, Mariana tha se do të bënte gjithçka që ishte e nevojshme.
Por përparësia e qeverisë është gjetja e të gjithë qytetarëve të zhdukur. Vasilios Andriopoulos, i cili po drejton operacionet e shpëtimit të Kryqit të Kuq, tha se ekipi i tij kishte zbuluar 26 trupa në oborrin e një taverne, pak metra nga deti. Ata ishin grumbulluar në grupe prej katër apo pesë personash, duke u munduar të mbronin fëmijet nga flakët. “Familje që dogjën për së gjalli së bashku “, tha ai. Vasilios deklaroi se po hetonte zhdukjen e dy vajzave binjake 9-vjeçare që ishin shpëtuar në Rafinë. Zhdukja e tyre e mistershme ka ngritur alarmin se mund të jenë rrëmbyer. Ai theksoi gjtihashtu se fokusi kryesor i tij do të ishte kërkimi nëpër shtëpitë e shkatërruara të zonës, mes frikës se do të gjenin edhe dhjetëra viktima të tjera.
Tuafik Halil, një peshkatar nga Rafina, rrëfen se zjarri u afrua me shpejtësi të jashtëzakonshme, ndërsa tymi i dendur errësoi qiellin dhe detin duke bllokuar peshkatarët e tjerë në port, derisa policia kërkoi ndihmën e tyre për të shpëtuar njërëzit që ishin bllokuar në det. Ai tha se ata kishin shpëtuar dhjetëra të mbijetuar dhe se ai u kishin dhënë ujë qindra njerëzve të lodhur që u strehuan në port. Disa prej të mbijetuarve u kthyen dalëngadalë në shtëpitë e tyre për të parë nga afër dëmet e zjarrit.
Aleksandros Prokopiu, një 72 vjeçar që ka lindur dhe është rritur në u Mat u kthye në shtëpinë e tij për të inspektuar dëmët. Ajo nuk ishte dëmtuar shumë, por vetura e tij, një “Simca” e vitit e 1965 ishte shndërruar në një grumbull hekurishtesh.
“Ishte e bardhë- tha gruaja e tij, Magdalini Prokopiou- E bardhë si sheqeri. Ishte një makinë e bukur. Ishte!” /New York Times/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.