Politike

‘Kush i ka sytë, s’do me pa, është qorr absolut’ / Shoqata e të Verbërve reagon ndaj deklaratave të Ramës: Të kërkojë falje

Nga Gazeta Si- “Kur njeriu i ka sytë top, është më i verbër se dikush që nuk i ka sytë. Kush i ka sytë, s’do me pa, është qorr absolut”. Ka qenë kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama e bërë të dielën në Lezhë që bëri Shoqatën e të Verbërve në Shqipëri që të reagojnë ashpër, duke e cilësuar si fyese dhe thellësisht diskriminuese

Në një deklaratë publike, SHVSH shpreh indinjatën e saj për gjuhën e përdorur, të cilën e cilëson si poshtëruese dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe barazinë e garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa e OKB-së.

Shoqata i kërkon Kryeministrit ndjesë të menjëhershme dhe angazhim konkret për respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të këtij komuniteti, duke theksuar se personat me aftësi të kufizuara nuk janë figura stilistike për retorikë politike, por qytetarë të barabartë të vendit.

“SHVSH, si përfaqësuesja legjitime e mbi 13,500 qytetarëve të verbër dhe me dëmtime të rënda të shikimit në vend, shpreh keqardhje dhe indinjatë të thellë për përdorimin e gjuhës diskriminuese dhe poshtëruese nga Kryeministri”, shkruhet në deklaratë.

Në këtë deklaratë Rama u shpreh se “Kur njeriu i ka sytë top, është më i verbër se dikush që nuk i ka sytë. Kush i ka sytë, s’do me pa, është qorr absolut. Kush është nga veshët top, dhe do të dëgjojë këngën e bufit për natë, është më shurdh nga shurdhi.”

“Kjo nuk është hera e parë që Rama përdor fjalor fyese ndaj grupeve të ndjeshme. Vetëm pak ditë më parë, ai etiketoi në mënyrë të papranueshme personat me çrregullime të spektrit autik, duke vazhduar kështu një model komunikimi përçmues, që thellon paragjykimet shoqërore dhe cenon dinjitetin e mijëra qytetarëve shqiptarë”, shkruar SHVSH.

SHVSH i bën thirrje publike Ramës që të kërkojë ndjesë publike ndaj komuniteteve që ka ofenduar.

“Ne nuk jemi metafora, nuk jemi figura stilistike për përdorim në fjalime politike. Ne jemi qytetarë të barabartë të këtij vendi. Dhe do të ngremë zërin për çdo akt, fjalë apo qëndrim që synon të na fyejë, të na përjashtojë ose të na instrumentalizojë”, përfundon deklarata e SHVSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë