Nga Alice D’Este– Shkodra Elektronike, projekti muzikor i lindur nga takimi mes Kolë Lacës (ish-tastierist i grupit “Teatro degli Orrori” ) dhe këngëtares e autores Beatriçe Gjergji, është në finalen e Eurovision Song Contest 2025.
Performanca e tyre me këngën “Zjerm” në mbrëmjen e së martës më 13 Maj goditi në shenjë. Ashtu siç kishte ndodhur edhe në Festivalin e Këngës , të cilin e fituan pikërisht me këtë këngë, të kompozuar nga të dy. Kënga, që ndërthur tinguj dhe atmosferë të traditës së tyre me prodhim elektronik bashkëkohor, u prit shumë mirë dhe të shtunën do të përballen me shtetet e tjera finaliste.
Të dy janë me origjinë nga Shkodra në Shqipëri, por prej vitesh jetojnë në Itali. Është pikërisht përvoja e udhëtimit ajo që ka ndikuar në rrugëtimin e tyre, aq sa vetë e përkufizojnë stilin e tyre si “pop pas-emigracioni” (post immigrant pop).

Kolë Laca ka mbërritur në Itali në vitin 1992 dhe për shumë vite ka jetuar në Padova, ndërsa tani banon në Milano. Beatriçe ka ardhur në vitin 1997 dhe jeton në Auronzo me partnerin e saj Marcello Batelli (edhe ai ka pasur bashkëpunime me grupet “Teatro degli Orrori”, “Non voglio che Clara” dhe “Bachi da Pietra”). Edhe koreografja e Beatriçes, Marta Bramezza, është nga Cadore.
Me të krijuam një koreografi që u bë virale
“Unë dhe Beatriçe jemi kolege në grupin e vallëzimit të Auronzo-s, ajo jep mësim këndimi dhe unë hip-hop” shpjegon Bramezza
“Kur mori pjesë në festivalin shqiptar të këngës, të cilin e fitoi në Dhjetor, më kërkoi ta ndihmoja pak me lëvizjet që performanca të mos ishte thjesht vokale, por të kishte edhe një mini koreografi”shton ajo.
Dhe pastaj shpjegon se pse zgjodhën ato lëvizje koreografike.
“Ideuam dhe riprodhuam një lëvizje që u bë virale, si në TikTok ashtu edhe në rrjetet sociale, me një numër të pafundëm shpërndarjesh. Më kërkoi hapa të thjeshtë por domethënëse, ndaj zgjodha disa lëvizje që vijnë nga Vogue , një stil vallëzimi me origjinë sociale, i lidhur me përfaqësimin e një pakice, pikërisht komuniteti LGBTQ. Beatriçes i pëlqyen shumë këto lëvizje të buta dhe femërore.
Fitorja në Festivalin e Këngës ishte surprizë për të gjithë, edhe për Beatriçen. Kjo i çoi në rrymat kryesore të muzikës, drejt publikut të gjerë. Deri tani ata kanë bërë muzikë elektronike jo komerciale, e njohur vetëm nga një publik i specializuar”

Nga Shqipëria në Itali
Gjatë performancës së Shkodra Elektronike në Eurovizion, Marta ishte në mësim, por ndaloi gjithçka.
“Ndalova punën dhe bashkë me vajzat pamë performancën, jemi fanset më të zjarrta të saj”.
Beatriçe jeton në Auronzo që nga periudha e Covid-it. Nuk mund të udhëtonte dhe do të qëndronte shumë kohë larg partnerit. Por ka pas vetes një histori të tërë udhëtimi. Katër vitet e para të jetës i kaloi në Shqipëri, më pas u zhvendos në Gjermani me prindërit dhe më pas u rikthye në Shqipëri. Prej andej mbërriti në Itali me udhëtimet e shpresës, përmes detit tregon Bramezza
“Një pjesë e krijimtarisë së saj, të paktën në tekste, synon të flasë pikërisht për ndjeshmërinë njerëzore. Ajo dëshiron të shqyejë vellon e racizmit të zakonshëm dhe të tregojë se njerëzit që zgjedhin udhëtimin e shpresës për të ardhur në Itali janë thjesht njerëz të zakonshëm që e shohin Italinë si vendin e së ardhmes së tyre. Për të, ndalesa e parë ishte Umbria. Auronzon e zgjodhi për dashurinë” – shpjegon mikja e saj.
Në këngët e tyre ndërthuren patriotizmi, kulturat e ndryshme dhe ndikimet tradicionale me elektronikën për t’i dhënë një jetë të re dhe bashkëkohësi një shpirti muzikor në lëvizje ashtu siç është edhe vetë historia e tyre.
Burimi: Corriere Della Sera
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.