Ne rrjet

Kush është Scott Bessent, ‘zëri i arsyes’ që bindi Trumpin të tërhiqej nga tarifat

Gazeta Si – Shumë në njerëz Wall Street, shpresonin se Scott Bessent do të ishte “zëri i arsyes” në administratën Trump.

Natyrisht, Sekretari amerikan i Thesarit e refuzon këtë etiketim. Ai u tha mediave se plani për një pezullim 90-ditor të tarifave reciproke ishte ideja e Trump që në fillim dhe se ky është “arti i të bërit biznes”.

Një miliarder i lindur në Karolinën e Jugut dhe pasardhës i “Huguenotëve” francezë, themelues i fondit të investimeve “Key Square”, homoseksual i hapur, Bessent ishte nga viti 1991 deri në 2015 (në një interval të shkurtër) krahu i djathtë i George Soros, financierit demokrat më të urryer nga e djathta.

Ai u konsiderua si një zgjedhje pragmatike dhe qetësuese për Thesarin, si nga Wall Street-i, ashtu edhe nga klasa politike e Uashingtonit (ai pëlqehet edhe nga Steve Bannon).

Ndryshe mendon një tjetër mik miliarder i Trumpit, Howard Lutnick, i cili synonte të njëjtin post, por u bë Sekretar i Tregtisë.

Bessent është një ekspert i luhatjeve financiare. Fondi i tij i siguracioneve vuri bast (dhe pati të drejtë) në 2022-in se inflacioni në SHBA do të zgjaste më shumë se sa pritej.

Sa u përket tarifave, Bessent përqafoi argumentin e Trump se ato nevojiten për të ribalancuar bilancin tregtar, por sugjeroi një qasje në rritje, duke filluar nga 2.5% kundrejt 19 vendeve me suficitet më të këqija tregtare, me rritje të së njëjtës përqindje çdo muaj deri në një maksimum prej 20% (siç kishte premtuar Trump gjatë fushatës së tij zgjedhore).

Kjo sipas tij do t’u jepte vendeve të huaja kohë për të rregulluar tarifat në negociata me administratën amerikane. Por Trump donte shumë më tepër se 2.5%. Sekretari i Thesarit dukej se e kishte humbur atë betejë.

Megjithatë, më 2 prill, në Kopshtin e Trëndafilave, nuk kishte vetëm mbështetës të vendosur të tarifave. Howard Lutnick i dorëzoi Trumpit tabelën me numrat dhe këshilltari i tregtisë, Peter Navarro u shpjegoi të dhënat gazetarëve.

Bessent, në krahun tjetër dha intervista në CNN dhe Bloomberg News ku, diplomatikisht, këshilloi vendet të mos përgjigjeshin me kundër-tarifa.

Atyre që e pyesnin nëse tarifat ishin të përhershme, ai u përgjigjej: “Do të shohim se çfarë do të ndodhë dhe çfarë mendon presidenti”.

Me rënien e tregjeve të aksioneve dhe shtimin e kritikave (madje edhe nga mbështetësit e Trump), senatori republikan Ted Cruz sugjeroi se kishte “engjëj dhe djaj” që pëshpëritnin në veshin e presidentit (djajtë janë ata që duan “tarifa të larta përgjithmonë”).

Të dielën e kaluar, dy ditë pasi tarifat hynë në fuqi, Bessent shkoi të fliste me Trump në Mar-a-Lago dhe u kthye me të në Uashington.

Të hënën, vetë Bessent njoftoi në mediat sociale se ai, së bashku me Përfaqësuesin Tregtar të SHBA, Jamieson Greer kishin marrë drejtimin e negociatave për tarifat.

“Bessent dhe Greer janë më të kualifikuar për të negociuar pa u nevrikosur. Ata janë si oficerët më të mirë të policisë për të menaxhuar trafikun drejt uljes së tensioneve dhe drejt rezultateve domethënëse”, – tha një burim i Shtëpisë së Bardhë për “Financial Times”.

“Polici i mirë” sugjeroi të martën se bisedimet me Japoninë dhe Korenë e Jugut do të çonin shpejt në një marrëveshje që do të lehtësonte tarifat, duke anashkaluar, për momentin linjën e ashpër të Lutnick dhe Navarros.

Dje në mëngjes Bessent pritej në Kongres për një seancë dëgjimore, por ai dërgoi zëvendësin e tij duke i shpjeguar se duhej të shkonte te Trump.

Sekretari i Thesarit ishte në dhomë kur presidenti njoftoi (përmes mediave sociale) pezullimin 90-ditor dhe ishte ai që shpjegoi vendimin para gazetarëve.

Bessent e kishte bindur presidentin, duke i treguar shenja shqetësimi në tregun e obligacioneve të qeverisë amerikane.

Lutnick, megjithatë, theksoi në rrjetet sociale se edhe ai ishte në dhomë dhe, sipas burimeve, këtë herë do të kishte bërë kauzë të përbashkët me Bessent.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë