Përfundoi siç ndodh shpesh në të tilla raste, me një miks sulmesh dhe falënderimesh në Instagram. Ajo që nuk parashikohej para garës së Abu Dhabit, që vendosi titullin mes Ljuis Hemiltonit dhe Maks Vershtapenit, ishte pikërisht ai, një nga pilotët e pjesës së fundit që do të përcaktonte anën e peshores në sfidën me emocionuese dhe më të luftuar të historisë së Formula 1.

Në fund, Nikolas Latifit iu desh të fshinte postimin e fundit, pasi komentet poshtë tij ishin agresive dhe polemizuese nga mbështetësit e dy rivalëve. Brenda pak orësh atë postim e shoqëruan mbi 20 mijë komente.
Latifi, me atë incident në xhiron e 53-të, vendosi në mënyrë të pavullnetshme fatet e kampionatit. Pas një ndeshjeje të gjatë prej 9 muajsh dhe 22 garash, me Hemiltonin gati kampion, papritur në pistë hyri “Safety Car” dh aty Vershtapen, në atë moment 11 sekonda prapa, ndryshoi gomat dhe më pas e ktheu ëndrrën e tij në realitet. Ai fitoi titullin e parë kampion bote në xhiron e fundit, si në një film, që gjen pikërisht Nikolas Latifin si “regjisor”.

Sigurisht, i pari që do ta komplimentonte Latifin ishte bosi i Red Bull-it, Kristian Horner, i cili bëri shaka para kamerave, duke thënë se do t’i ofronte një furnizim të mirë me pije energjike. Piloti 26-vjeçar i Uilliamsit në fakt nuk është se ka nevojë fare për të tilla gjëra. Nikolas është djali i Majkëll Latifit, një miliarder kanadez me origjinë iraniane, që përveçse është aksionar te MekLaren, drejton edhe perandorinë e “Sofina Foods”, një kompani e madhe ushqimesh. Nëna, Marilena Ruso, me origjinë italiane, ka lidhje fisnore me sipërmarrësit e famshëm italo-kanadezë të familjes Saputo.

Latifi, “pilot me pagesë”
Një vit më pas ai debutoi në Formula 2 dhe në 2019-ën, në vitin e 5-të mes kadetëve, Latifi zuri vendin e 2-të, pas Nik DeVries, sot kampion në Formula E. Ky është rezultati më i mirë i karrierës për Latifin, që në atë pikë do të merrte edhe licencën e nevojshme për debutimin në Formula 1.
Në 2020-ën, bashkë me babanë Majkëll, Latifi u paraqit në dyert e Uilliamsit me një valixhe me miliona, duke ndihmuar një skuderi në vështirësi financiare prej shumë vitesh. E mbylli sezonin me zero pikë, pa mundur asnjëherë shokun e skuadrës Rasell në kualifikuese. Në 2021-shin u fut me më shumë eksperiencë dhe fitoi 7 pikë, por pati në mënyrë të pavullnetshme një rol qendror në sfidën e titullit të një Botërori rokambolesk.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




