Ne rrjet

Kush është Kiril Petkov, kryeministri i ri i Bullgarisë

Parlamenti i Bullgarisë ka votuar zyrtarisht Kiril Petkov si kryeministër të ardhshëm të vendit, duke i dhënë fund një krize politike disa mujore. Deputetët zgjodhën udhëheqësin 41-vjeçar të qendrës, me 134 vota por dhe 104 kundër.

Në një votim të veçantë, ligjvënësit miratuan gjithashtu qeverinë e re të vendit të udhëhequr nga qendra, një koalicion i drejtuarnga partia anti-korrupsion e Petkov, “Ne Vazhdojmë Ndryshimin”, PP, dhe tre grupe politike.

PP, Partia Socialiste Bullgare e krahut të majtë, partia kundër elitës “Ka një popull të tillë” dhe grupi liberal, Bullgaria Demokratike, së bashku kontrollojnë 134 vende në parlamentin 240 vendesh të Bullgarisë. Vendi ka duruar 8 muaj kaos politik dhe 3 zgjedhje brenda një viti.

Në votimin e fundit në nëntor, partia PP e Petkov doli si fituese e befasishme ndaj partisë konservatore GERB, e cila pati dominuar politikën bullgare në dekadën e fundit. Petkov, një sipërmarrës i shkolluar në Harvard, ka qenë i emëruar më parë si ministër i ekonomisë në qeverinë e përkohshme të Bullgarisë.

Të hënën, ai njoftoi se transparenca në shpenzimet publike, zero toleranca për korrupsionin dhe reformat në gjyqësor do të jenë gurët kyç të kabinetit të tij. Petkov u zotua gjithashtu të mbajë Bullgarinë në një rrugë pro-europiane dhe pro-NATO-s.

Prioritete të tjera të qeverisë së re përfshijnë trajtimin e krizës demografike, rritjen e kostos së jetesës dhe shkallën e ngadaltë të vaksinimit kundër Covid-19. Më pak se 30 % e popullsisë së rritur të Bullgarisë janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit – shkalla më e ulët në Bashkimin Europian.

Burimi:EuroNews/Gazeta “SI”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë