Çdo e keqe e ka një të mirë ose e kundërta. Kur gjithë shoqëria është mbyllur në shtëpi, duke sjellë rrjedhimisht fikjen e makinave në parkim apo të motorëve të fabrikave, diçka e mirë ka ndodhur me pastrimin e ajrit. Agjensia Kombëtare e Mjedisit jep lajmin e mirë për rënien dramatike të niveleve të ndotjes në kryeqytet, që nënkupton ulje të dioksidit të azotit prodhuar nga makinat dhe industria. Siç edhe njofton AKM, monitorimi është realizuar me pajisje manuale, sipas të dhënave të regjistruara përgjatë 24 orëve pa ndërprerje nga datat 28 prill deri në datën 5 prill 2020, që përkon me kohën kur Tirana ishte futur në karantinë, në qytet qarkullojnë vetëm mjete të autorizuara dhe bizneset janë mbyllur.

Përmes një grafiku përshkruhet se si normat e grimcave të pluhurit janë të papërfillshme. Përveç kësaj, dy të diela rresht dhe konkretisht datat 29 mars dhe 5 prill tregojnë vlera akoma më të ulëta të ndotjes. Këto dy data janë ditët më të ashpra të kufizimeve, kur fashat e lëvizjes gjatë fundjavës janë të ndaluara. Sasia më e lartë, thekson AKM, e grimcave të ndotjes vjen si pasojë e trafikut rrugor, më tepër se shkaqet e tjera të natyrës industriale që vërehen në vendet e tjera. AKM bën apel që pas luftës me armikun e padukshëm, qytetarët të reflektojnë për reduktimin e ndotjes dhe në të ardhmen të përdorin sa më shumë biçikleta. Por në njoftimin e AKM ka qytetarë që komentojnë se ndotja në kryeqytet nuk vjen vetëm nga automjetet, por ajo shkaktohet edhe nga ndërtimet dhe masat rigoroze që duhet të ndërmerreshin. Banorët e kryeqytetit replikojnë gjithashtu me agjensinë e mjedisit duke shtuar se “është harruar shkaku kryesor që është cilësia e keqe e karburantit”. Cilat stacione janë përfshirë në këto matje ngre pyetjen një tjetër banore e Tiranës, e cila hedh dyshimin se edhe aktualisht në kryqëzimin më të ndotur të 21 dhjetorit (edhe akustik) kalon një automjet me mbetje.
Megjithatë pavarësisht komenteve dhe reagimeve pastrimi i ajrit është i dallueshëm edhe nga Mali i Dajtit, ku qyteti i Tiranës nuk është më i mbuluar nga mjegulla e tymit, thënë ndryshe e ajrit të ndotur. Edhe në Wuhan të Kinës, pamjet satelitore të ofruara nga Nasa, menjëherë sapo qyteti u karantinua nga Covid-19, sollën lajmin e mirë se si kishte ndikuar izolimi i jetës së përditshme në uljen e ndotjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)












