Mentor Kasa – Rrjetet sociale janë kanali kryesor i komunikimit të Kryeministrit Edi Rama. Ai është tepër aktiv në Facebook dhe në Twitter. Në të parin shpalos aktivitetet e tij edhe me mbështetjen e të famshmit ERTV, “televizionit” të tij personal, ndërsa tek i dyti reagon shkurtimisht për aktualitetin.
Të shtunën e nisi në Facebook, ku numëron mbi 1.1 milionë ndjekës, duke shpërndarë një link të Lonely Planet, që e rëndiste Shqipërinë në listën e 10 vendeve për t’u vizituar në 2019, ndërsa lajmin e nxorri në Twitter, ku ka 330 mijë ndjekës. Këtu, Kryeministri postoi faksimilen e kërkesës drejtuar Ilir Metës, ku i propozonte Sandër Lleshin në postin e ministrit të Brendshëm. Mbi foto shkruante se kishte pranuar kërkesën për dorëheqje të Fatmir Xhafajt.
Xhafajn e falenderon për kontributin e dhënë, por pa dhënë më pas asnjë shpjegim se cilat ishin arsyet e kësaj dorëheqjeje, në një kohë kur besueshmëria e tashmë ish-ministrit të Brendshëm në publik perceptohej më pozitive për shkak të operacioneve të fundit që çuan në pranga Avdylajt e Shijakut, Ndokat e Lezhës dhe Bajrat e Shkodrës.
Nxitimi i Kryeministrit për të njoftuar shpejt dorëheqjen e Xhafajt lë pas një shije të hidhur. A nuk do të ishte më mirë që vetë Xhafaj të dilte në konferencë për mediat, apo qoftë përmes një deklarate të njoftonte i pari dorëheqjen dhe më pas Edi Rama, pasi ta kishte falenderuar për kontributin ta pranonte atë?
Mosndjekja e kësaj linje normale për një dorëheqe, aq më tepër kur bëhet fjalë për një dorëheqje të këtij rangu të bën të dyshosh se vendimi nuk ka qenë plotësisht vullnetar dhe mes Kryeministrit dhe ish-ministrit të Brendshëm ka patur një përplasje.
Burime nga qeveria thonë për Gazetën “Si” se ka patur një debat të ndezur mes Kryeministrit dhe ish-Ministrit të Brendshëm mbrëmjen e së enjtes, pikërisht në kohën kur sapo nisën të publikoheshin përgjimet e Vangjush Dakos me bandën e Avdylajve.
Kjo ka qenë krisja e madhe, por jo e vetmja. Burimet thonë se Kryeministri Edi Rama ka qenë i pakënaqur me ritmin e arrestimeve të elementëve kriminalë.
Kjo mund të “provohet” deri diku edhe nga deklarata e shefit të Qeverisë pas operacionit “Vol-vo 4”, që çoi në pranga 27 persona, kryesisht në Shijak e Lezhë.
“Nesër publiku do të njihet me rezultatin e një tjetër operacioni në vijim. Do vazhdojmë derisa të futet në burg i forti i fundit. Do t’i detyrojmë të vihen në rresht dhe të respektojnë ligjin”, deklaronte Kryeministri ditën e hënë.
Të nesërmen nuk ndodhi asgjë, përveç daljes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu që raportoi mbi një operacion të shtrirë në gjithë vendin të Policisë së Shtetit për goditjen e të ashtuquajturve “të fortë”.
Opozita ndan bindjen se në lojë ishte ose “koka” e Xhafajt, ose ajo e Vangjush Dakos. “Shiti Xhafajn për të shpëtuar Vangjush Dakon dhe veten”, shkruan në rrjetet sociale ish-Kryeministri Sali Berisha.
Por, po paraditen e së shtunës lajmi që prisnin të gjithë gazetarët dhe publiku ishte konferenca për shtyp e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që kishte paralajmëruar një ditë më parë ‘të vërteta të mëdha’.
Konferenca ishte parashikuar të mbahej në orën 10:30 minuta në Rogner dhe gjithçka ishte bërë gati, madje ish-ministri dhe ish-deputeti socialist kishte bërë vendosur edhe një projektor të madh pas podiumit ku do të fliste.
Por, skenari ndryshoi. I njohur me zhvillimet e reja në kabinet dhe në dukje pa një “plan B” përballë këtyre zhvillimeve, Saimir Tahiri nuk doli fare në konferencën për shtyp, duke e mveshur me mistere edhe më të mëdha dorëheqjen e Fatmir Xhafajt.
“Rrufeja” në qiell të hapur u mirëprit nga Partia Demokratike, e cila që në marsin e 2017, atëherë kur Xhafaj pasonte Saimir Tahirin në krye të Ministrisë së Brendshme e kishte vendosur në krye të akuzave.
Xhafaj u akuzua si ish-hetues i regjimit, por nuk u dorëhoq. Më vonë, PD i risjell në kujtesë të vëllain e dënuar në Itali për trafik droge, në një kohë kur në radhët e Policisë së Shtetit kishte nisur procesi i vettingut, që largonte edhe punonjësin më të thjeshtë nëse kishte kontakte, apo të afërm të dënuar për një akuzë të ngjashme.
Fatmir Xhafaj e pranoi që drejtësia italiane kishte dënuar Agron Xhafajn dhe vetë ky i fundit njoftoi përmes një letre publike vetëdorëzimin tek autoritetet italiane për të vuajtur dënimin në fjalë. Fatmir Xhafaj këmbëngulte se i vëllai kishte bërë një gabim dhe se tashmë ishte “rehabilituar”, por PD këmbëngulte se me mbështetjen dhe mbrojtjen e të vëllait në pushtet, Agron Xhafaj vijonte aktivitetin e tij kriminal në Vlorë.
Për ta përforcuar këtë, PD nxorri një audiopërgjim mes Albert Veliut, të njohur më vonë si Babalja dhe një personi që Veliu dhe opozita thotë se është Agron Xhafaj. Një ditë më vonë, Kryeministri Edi Rama mbrojti ministrin e tij, ashtu siç mbrojti Saimir Tahirin kur Partia Demokratike e akuzonte si të lidhur me grupin e Habilajve në trafikun e drogës.
Në përpjekje për të gjetur azil në vendet Perëndimore, Babalja u nis drejt Kosovës, ku u vu fillimisht u arrestua dhe më pas aplikoi për statusin e azilantit me argumentin se në Shqipëri i kërcënohej jeta. Në Tiranë, Prokuroria po hetonte dhe në skenë del edhe emri i Alfred Alizotit. Ky i fundit u mor i pandehur si personi i dyshuar që ka bërë zërin e Agron Xhafajt në audio-përgjimin e parë. Por, PD nxjerr një video-përgjim tjeter ku Alizoti mohon të ketë bërë zërin e Agron Xhafajt.
Vetë Fatmir Xhafaj, që pas publikimit të audio-përgjimit u zhduk nga shfaqjet në media. Reagimet e pakta i bënte përmes rrjeteve sociale, ku mohonte akuzat dhe refuzonte të dorëhiqej.
Ai i qëndroi “stuhisë” së Babales, akuzave të opozitës si ish-hetues i regjimit komunist dhe gjithë akuzave të tjera të ngritura kundër tij dhe vazhdoi detyrën e ministrit të Brendshëm…deri këtë të shtunë, kur dha dorëheqjen.
Fatmir Xhafaj thotë se dorëheqja ishte një akt me vullnetin e tij të lirë, por pyetja që ngrihet është se si mund të dorëhiqet njeriu që u mbijetoi 1001 akuzave për të vëllain dhe pak ditë pas një operacioni realtivisht të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe paralajmërimit se “të fortëve do t’ua nxinte jetën”?
A i hëngrën “kokën” Fatmir Xhafajt “kokat” e krimit, ishte konferenca e paralajmëruar dhe më pas e anuluar e Saimir Tahirit, apo një skenar i ndërmjetëm mes të dyjave? Kjo pyetje vështirë se mund të marrë përgjigje, të paktën në një kohë të afërt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.