Politike

Kush do të vlerësojë 30 qershorin? Kushtetuesja drejton gishtin nga Kolegji Zgjedhor

Gjykata Kushtetuese thotë se Kushtetuta nuk ja jep shprehimisht kompetencën për të vlerësuar vlefshmërinë në tërësi të proceseve zgjedhore vendore dhe në vendimin e arsyetuar.

“Kushtetutëbërësi nuk ka përdorur termin “funksionar”, edhe pse ai mund të përkojë me organin, sepse qëllimi i këtij neni është mbrojtja e organeve të qeverisjes vendore, të cilat ngrihen dhe funksionojnë sipas parimeve të decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore. Kjo normë kushtetuese përcakton shprehimisht juridiksionin e Gjykatës për të kontrolluar shkarkimin e këtyre organeve, e cila përbën një lloj të veçantë të kontrollit kushtetues, që nuk u referohet rasteve të pazgjedhshmërisë apo papajtueshmërisë në ushtrimin e detyrës”, thotë Gjykata Kushtetuese.

Ndonëse nuk e shpreh drejtpërdrejtë, nënkupton se kjo kompetencë i është dhënë nga ligjvënësi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor në Gjykatën e Apelit.

“Edhe Komisioni i Venecies është shprehur se ankimet zgjedhore kundër vendimeve të KQZ-së, ose mungesës së vendimmarrjes, shqyrtohen nga Kolegji Zgjedhor, i cili ka kompetencën për të kontrolluar ligjshmërinë e tyre dhe vihet në lëvizje me kërkesë të subjekteve që legjitimohen, çka do të thotë se në këto raste legjislacioni ka parashikuar mjete ligjore në dispozicion”, thuhet në vendim.

Kërkesa e dytë e kësaj shoqate lidhej me regjistrimin e partisë Bindja Demokratike, që sipas kërkesës u regjistrua në zgjedhje para se të regjistrohej në gjykatë si parti.

Edhe kërkesa e dytë është rrëzuar. Gjykata Kushtetuese vëren se çështja e regjistrimit të Bindjes Demokratike në zgjedhjet e 30 qershorit të 2019-s është më shumë një çështje e aspektit ligjor se sa kushtetues, prandaj nuk përfshihet në kompetencat e saj dhe se shoqatat nuk legjitimohen për ngritjen e këtyre kërkesave në Kushtetuese.

“Neni 9 i Kushtetutës ka parashikuar se cilat janë ato veprimtari të partive politike që ndalohen të ushtrohen. Ndërkohë që pretendimet e kërkueses kanë të bëjnë me procedurën e regjistrimit të partisë “Bindja Demokratike” dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhje, duke mos qenë e regjistruar sipas ligjit, të cilat në thelb janë pretendime me natyrë ligjore dhe jo kushtetuese”, thuhet në vendimin e arsyetuar.

Ajo që bie në sy është që vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e të dyja kërkesave është unanim, ndërsa vetëm gjyqtarja Sonila Bejtja ka dhënë miratimin për këtë vendim me një mendim paralel nga gjashtë kolegët e tjerë të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë