“Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët, nuk mund të përsëritet për të gjithë bllokun”, ka qenë kjo deklarata e kryemininstrit grek Kyriakos Mitsotakis. Ky i fundit ka shprehur skepticizmin e tij ndaj thirrjeve për përhapjen e modelit Itali-Shqipëri në të gjithë bllokun.
Kujtojmë se dy ditë më parë, Presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, në një letër dërguar liderëve të BE-së përpara mbledhjes së Këshillit Evropian më 17-18 tetor, kërkoi krijimin e qendrave të ngjashme të emigrantëve, si ato të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë.
Mitsotakis ka paralajmëruar kundër propozimeve për të transferuar politikën e BE-së për azilin tek vendet jashtë bllokut në fillim të një samiti të liderëve në Bruksel, ku emigracioni do të dominojë diskutimet.
“Më lejoni të jem i kujdesshëm këtu. Ky është një marrëveshje dypalëshe. Nuk e di nëse mund të përsëritet në nivel evropian. Ne gjithashtu duhet të shohim nëse funksionon vërtet.
Këta persona procedohen sipas legjislacionit italian të azilit dhe çfarëdo që të ndodhë me ta, në një mënyrë apo tjetër do të kthehen në Itali. Nëse do ta bënim këtë në nivel evropian. . . ku do të shkonin?”, deklaroi kryeministri grek për Financial Times.
Mitsotakis bëri thirrje që BE të rrisë migracionin legal paralelisht me përpjekjet për të frenuar hyrjet e parregullta, pasi kishte një nevojë kritike për punëtorë (të kualifikuar dhe të pakualifikuar) në ekonominë e Evropës.
“Nëse doni të ndërtoni një gardh të madh, ju duhet gjithashtu një derë e madhe. Kush do të na mbledhë ullinjtë? Ne jemi një kontinent që po zvogëlohet dhe të gjithë e kuptojmë se për të ruajtur produktivitetin tonë, do të kemi nevojë për punë, të pakualifikuar ose të kualifikuar”, tha kryeministri.
Si porta juglindore për në BE, Greqia ka qenë historikisht në vijën e parë të emigracionit dhe është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut për keqtrajtimin e njerëzve në det që kërkojnë azil.
Mitsotakis tha se Greqia kishte shpëtuar “mijëra njerëz në det” por theksoi se “ne do ta bëjmë të vështirë hyrjen e njerëzve”.
Udhëheqësi grek, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2019 dhe është një aleat politik i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Brukselit të dyfishojë përpjekjet për të rritur numrin e emigrantëve të dështuar që deportohen, i cili aktualisht është 20 për qind.
“Ka njerëz që u refuzohen kërkesat për azil. . . dhe çfarë të bëjmë me ato nuk ka qenë kurrë një temë diskutimi. Disa nga idetë që janë sugjeruar më duken interesante. Por unë mendoj se jemi ende në fazat e hershme për të dalë me një propozim konkret”, tha Mitsotakis.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.