Liderët e fuqishëm lënë pasardhës të dobët. Kjo shprehje e përdorur kryesisht pas Luftës së dytë Botërore për udhëheqës si Thatcher apo Stalini, shpjegon më së mirë krizën politike ku gjendet sot Gjermania.
Kancelarja e ekonomisë më të madhe të Bashkimit Europian është zyrtarisht drejt fundit të mandatit, por Gjermania nuk ka gjetur ende dikë për ta zëvendësuar. Pasardhësi i Merkel pritet të jetë dikush nga partia e saj konservatore, CDU, por hija e rëndë e kancelares ka bërë që deri më tani karrigia e udhëheqësit të ri të jetë bosh.
Këtë javë bëhen 14 vjet nga dita që Merkel mori detyrën dhe delegatët e partisë së saj do të mblidhen në asamblenë e tyre vjetore. Katër nga pesë pasardhësit e mundshëm janë pjesë e CDU-së dhe do të përdorin asamblenë në Leipzig për të marrë mblështetjen e partisë së tyre. Dy javë më vonë, partnerët e Merkel, Social Demokratët, do të vendosin nëse do ta braktisin apo jo koalicionin qeveritar, duke përcaktuar kështu kohën e zgjedhjeve të ardhshme kombëtare.

Plani fillestar i Merkel ishte të dilte e qetë në pension ndërkohë që ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer zinte vendin e saj. Ajo dukej shumë e ngjashme me kancelaren. Të dyja shquhen për qetësinë politike, të dyja janë politikane të qendrës dhe të dyja flasin në fraza të ndërlikuara që shpesh nuk nënkuptojnë asgjë, por që arrijnë të përmbyllin debatet.
Merkel hoqi dorë nga udhëheqja e partisë në mënyrë që Kramp-Karrenbauer të mund ta pasonte. Por për fatin e keq të Merkel, ministrja gjermane e mbrojtjes do të mbahet mend për më shumë gafa se fitore që kur ajo mori përsipër detyrën pak më shumë se një vit më parë. Stuhia e fundit ishte kriza politike lokale në shtetin lindor të Thyringia, ku një liberal u zgjodh si Kryeministër i shtetit me mbështetjen e CDU dhe partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë.
Zemërimi për zgjedhjen e tij dhe keqmenaxhimi i krizës nga Kramp-Karrenbauer e nxiti ministren të njoftojë se do të tërhiqet si udhëheqëse këtë verë dhe nuk do të kandidojë për kancelare në zgjedhjet e ardhshme. Ky ishte me siguri vendimi i duhur. Por kjo nuk do të zgjidhë krizën me të cilat përballet tanimë partia e saj dhe misionin e tyre për gjetjen e udhëheqësit të ri.

Një nga pasuesit e mundshëm të Merkel mund të jetë Friedrich Merz. Ai ishte një nga yjet në rritje të CDU-së në vitet 1990 derisa Merkel e largoi nga detyra në vitin 2002. Ai po planifikon hakmarrjen e tij që nga ajo kohë. Për vite me radhë Merz qëndroi jashtë politikës, duke drejtuar një sërë biznesesh. Por vitin e kaluar Merz, tani 64 vjeç, u rikthye në politikë, duke u përplasur me krahun e djathtë të CDU për të sfiduar Merkel dhe Karrenbauer për udhëheqjen e partisë.
Avantazhi i tij unik është se ai nuk ka përgjegjësi politike, kështu që mund të fajësojë lehtësisht partinë e tij për shumë nga problemet me të cilat përballet Gjermania, pa i bërë “duart pis”. Pasi CDU humbi në disa nga zgjedhjet rajonale, ai u ankua që Merkel dhe Kramp-Karrenbauer i kishin mashtruar gjermanët, për vite me parë. Shumë nga anëtarët e CDU-së, veçanërisht kontingjenti më i vjetër i partisë ka të ngjarë të mbështesë Merz nëse vendosë të pasojë Merkel. Por për fituar zemrat e elektoratit gjerman, Merz do t’i duhet një fushatë e fuqishme politike.
Një kandidat tjetër që mund të pasojë Merkel është Jens Spahn. Ashtu si Merz, ai e pozicionoi veten si një figurë konservatore përballë centrizmit të ashpër të Merkel dhe Kramp-Karrenbauer. Por duke qënë se ai është 39 vjeç dhe haptazi gay, Spahn nuk ka arritur të thithë mbështetjen e konservatorëve.

Duke e ndjerë kërcënimin politik që ai paraqiste, Merkel u përpoq të eliminonte Spahn duke e bërë ministër shëndetësie, një punë e mërzitshme në të cilën shumë njerëz normal dështojnë, por çuditërisht, Spahn po shkëlqen. Ai po ndërmerr një sërë iniciativash njëra pas tjetrës. Këtë muaj ai e bëri të detyrueshëm vaksinimin e fruthit, duke sfiduar të gjithë gjermanët të vaksinohen. Por siç e dinë Spahn dhe shumica e konservatorëve, koha e tij nuk ka ardhur ende.
Një figurë tjetër e rëndësishme e CDU-së është Armin Laschet. Avantazhi i tij është se ai është kryeministri i shtetit më të populluar, North Rhine-Westphalia dhe udhëheqësi i delegacionit më të madh të CDU. Strategjia e tij është të jetë e paqartë por me shumë gjasa ai duket se do të presë që garuesit e tjerë të eleminojnë njëri-tjetrin. Edhe pse kjo strategji mund ta bëjë Laschet kreun e CDU-së, ai nuk ka gjasa të zgjidhet kancelar. Votuesit gjermanë nuk do donin të udhëhiqeshin nga dikush që përdor këtë marifet për t’i shmangur garës, kur në të ardhmen do të përballet me Donald Trump, Vladimir Putin, Xi Jinping ose Emmanuel Macron.
Pra, mbase asnjëri prej kandidatëve të CDU-së nuk ka atë që duhet për t’u bërë kancelar. Këtu hyn në lojë një tjetër parti. CDU ka një “parti motër” të quajtur Unioni i Krishterë Social (CSU). Pakti i tyre është që CSU-ja të mbajë Bavarinë dhe CDU të mbulojë 15 shtetet e tjera, por në parlament ato formojnë një grup dhe në zgjedhjet federale ato kandidojnë më listë të përbashkët.

Që nga viti 1949 ka pasur vetëm dy kandidatë për kancelar nga CSU-ja, dhe të dy kanë humbur. Por jo nëse kandidon Markus Soeder, drejtuesi i CSU-së dhe Kryeministri i Bavarisë. Ai cilësohet si ninxha politike e Gjermanisë. Për vite me radhë ai luftoi kundër paraardhësit të tij Horst Seehofer dhe fitoi. Ai është gjithashtu një figurë shumë popullore.
52 vjeçari është populist, por jo aq i rrezikshmen sa Matteo Salvini apo Viktor Orban. Ai bën fushata në çadrat e birrës, duke u përpjekur të jetë pranë njerëzve të zakonshëm. Edhe pse ai dhe partia e tij janë të apasionuar pas makinave të shpejta (Audi është bavarez), Soeder kohët e fundit ka zbuluar një pasion për mjedisin, veçanërisht insektet, sidomos pasi bavarezët befasuan Gjermaninë me një votim në masë për të mbrojtur bletët.
Dashuria e Soeder për mjedisin ka ndoshta një arsye tjetër. Ai e di që për t’u bërë kancelar, ai do të duhet të krijojë një koalicion me të Gjelbrit, të cilët janë rritur në votime për t’u bërë partia më e madhe e qendrës së majtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




