Nga Gazeta Si – Meqë Arben Krajës i përfundon mandati trevjeçar si kryeprokuror i Spak-ut ( ai do të vazhdojë në 6 vitet e ardhshme mandatin e prokurorit të thjeshtë aty), në garë për të marrë stafetën janë vënë tre prokurorët Edvin Kondili, Adnand Xholi dhe Altin Dumani.
Të tre ata i bashkon kontributi që kanë dhënë si prokurorë në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por të tre dallohen nga strategjitë dhe teknikat për të zbuluar keqbërësit.
LEXO EDHE:
– SPAK, a ka nisur ‘lufta’ për drejtimin? Kandidatët në hije dhe ata që po krijojnë aleanca me dosjet
– Si në politikë! Nis fushata për në SPAK, aritmetika e votave dhe kush i mbështet 3 kandidatët që duan të zëvendësojnë Krajën
Të tre si Kondili, Xholi dhe Dumani njihen për këmbënguljen. Dy prej tyre Kondili dhe Dumani dalin për herë të dytë para Këshillit të Lartë të Prokurorisë me ambicien për të konkurruar e për të marrë drejtimin e SPAK.
Herën e parë të dy ata humbën përballë Arben Krajës.
Si çdo prokuror në SPAK të tre kanë besimin e amerikanëve, që ndjekin hap pas hapi çdo zhvillim në godinën e qelqtë dhe presin rezultate. Ndonëse duket se dy prej tyre Altin Dumani dhe Adnan Xholi kanë më tepër rekorde dhe hetime me të huajt. I treti Kondili ka dashamirësinë e kryeprokurorit Olsian Cela, që ndonëse nuk ka dalë hapur jo zyrtarsht pranohet se në Këshillin e Lartë të Prokurorisë votat e anëtarëve janë kalkuluar nën këtë frymë.
Aty nuk bën përjashtim as kryetari i ri i KLP-së , i cili shfaqet hapur me prokurorin e përgjithshëm. Sidoqoftë suprizat për prokurorinë më të dëshiruar do të shikohen kur duart e anëtarëve të ngrihen, mbasi fushata të ketë mbaruar, aty mbas perdeve.
Gazeta “Si” po sjell profilin e të tre kandidatëve
Altin Dumani, që e nisi nga Saranda dhe shkoi në Tropojë

Që amerikanët kishin besim tek ai e shprehën kur 48 vjeçari mori detyrën e drejtuesit të njësisë së përbashkët hetimore për hetimin e krimit ekonomike dhe korrupsionit pranë prokurorisë së kryeqytetit.
Ndoshta ky test i ndërkombëtarëve synonte të mësonte prokurorët për punën në grup për të hetuar të pandëshkuesheshmit. Megjithë fillimet premtuese më pas kjo njësi nuk pati frytet që priteshin, ndonëse për ndërkombëtarët njësia do të ishte sinjali se në Shqipëri duhej ngritur një forcë e posaçme kundër të korruptuarve dhe krimit të organizuar.
‘E konsideroj historike dhe kam nderin që jam një nga kandidatura për prokurorinë e posaçme. Të flasësh për veten nuk është shumë e lehtë “ deklaroi Altin Dumani gjatë prezantimit të tij gjatë konkurrimit të parë për në SPAK ( viti 2019). Unë quhem Altin Dumani, fillimet e mia i kam në mars 1999 në Sarandë si oficer i policisë gjyqësore . M’u desh të hetoj çështje të rëndësishme për kohën pasi Saranda kishte problematikë hetimin e vrasjeve. U emërova në Tropojë në një kohë shumë të vështirë “ kujton më tej prokurori i posaçëm Dumani.
Në atë kohë, në Tropojë shumë zyrtarë të drejtësisë e kishin refuzuar marrjen e kësaj detyre për shkak të pasigurisë dhe mungesës domethënëse të shtetit, dhe kur kontrolli mbi territorin ishte e cunguar. “Në atë kohë ishin në detyrë në prokurorinë e Tropojës vetëm një prokuror dhe një oficer i policisë gjyqësore”, thotë një burim i Gazeta “Si”, gjatë përpilimit të profilit për Dumanit.
“Vetë zyrat e prokurorisë që unë drejtoja në vitin 2000 u sulmuan me armë dhe u dogjën vetëm sepse ne arrestuam disa prej prolematikëve “ kujton Altin Dumani.
Pikërisht për shkak të rezultateve në Tropojë, Altin Dumani njeh ngritje në detyrë të pandalshme si prokuror i hetimit të krimit të organizuar dhe në vitin 2002 atij i besohet hetimi i tenderave dhe shpërdorimit të detyrës në prokurorinë e kryeqytetit. Dumani sipas burimeve të Gazeta “Si” u bë pjesë më vonë e ekipit Task Forcë që mbështetej nga Shtetet e Bashkuara dhe më pas ngrihet në detyrë si prokuror dhe mes drejtuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
“Për herë të parë tek krimet e rënda ne aplikuam blerjet e stimuluara, vëzhgimet përgjimet “ deklaroi para KLP-së Altin Dumani , që ka si pikë të fortë hetimin e krimit të organizuar dhe trafikantëve.
Dr.Adnan Xholi: Unë punoj vetëm për drejtësinë

Adnand Xholi njihet si prokurori i qetë, por i ashpër me krimin dhe korrupsionin.
I pakompromis dhe siç e përshkruajnë kolegët, ka pak fjalë por shumë punë e hetime. Gjatë procesit të vettingut që e kaloi në mënyrë të padiskutueshme, Adnan Xholi ishte mjaft i kujdesshëm mbi sekretet e profesionit të tij. Megjithatë ai kujtoi në atë kohë se motoja e tij në misionin që i ka kushtuar jetën është vetëm një “ drejtësi dhe ligj”.
Janë të panumërta dosjet që ai hetoi përmbi 24 vite karrierë me të cilat në tryezat e ndërkombëtareve drejtësia shqiptare i radhiti si trofe duke nisur nga goditja e grupeve ndërkombëtare të trafikimit të kokainës, ku shumica e tyre kanë si autor të hetimit : Andnan Xholin.
Në dy vite të njëpasnjëshme dy drejtorë të FBI amerikane i shtrënguan dorën për punën si prokuror duke e konsideruar si një nga aleatët e drejtësisë shqiptare në luftën ndaj shkelësve të ligjit.
Robert. S. Mueller dhe James B. Comey i akorduan certifikatë mirënjohjeje mbas dy aksioneve të rëndësishme ku ndërkohë në Shqipëri i besuari i tyre në goditjen e krimit të organizuar po vepronte duke ndjekur të dyshuarit e amerikanëve.
Motivi i dekorimit gjatë 2012- 2013 ishte i njëjtë “ për bashkëpunimin e shkëlqyer me FBI në kuadër të luftës së përbashkët ndaj krimeve që paraqesin rreziqe ndërkombëtare”.
Edhe prokurori i përgjithshëm distriktit lindor të Teksasit John B. Males u shpreh besimplotë dhe sërisht e veçoi aleatin shqiptar të hetimit me një certifikatë mirënjohjeje “ Për bashkëpunimin e shkëlqyer me autoritetet amerikane të drejtësisë për shpërbërjen e një grupi të krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të tyre”.
Ka qëndruar ngahera larg bujës. Nuk i kanë pëlqyer asnjëherë epitetet dhe me një profil modest ka vazhduar përpara si prokuror. Madje edhe ditën kur doli para vettingut ai preferoi të udhëtojë në këmbë nga banesa e tij deri tek ish Lidhja e Shkrimtarëve.
Ky prokuror quhet Adnan Xholi, është 47 vjeç dhe konkurron për të marrë drejtimin e radhës të prokurorisë së posaçme SPAK, që funksionon prej 2019 për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Adnan Xholi është prokuror i thjeshtë pranë SPAK dhe është larg shfaqjeve publike të paparacëve e kamerave. Ai mban gradën doktor shkencash, është gjithashtu profesor pranë Magjistraturës dhe njihet për ruajtjen strikte të sekretit hetimor. Gjatë karrierës së tij ka mbrojtur tezën se hetimi financiar i pasurive të krimit, sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale dobëson krimin dhe kriminelët . Duke ndjekur këtë parim “follow the money” Adnan Xholi gjatë kohës që drejtoi ish prokurorinë e krimeve të rënda , së bashku me ekipin e prokurorëve të atëhershëm shënoi rekordet më të larta të sekuestrimeve të pasurive kriminale duke i bazuar në ligjin antimafia. Me këto rekorde Shqipëria u përfaqësua më pas në takime ndërkombëtare për hetimin e krimit të organizuar.
Një nga hetimet më të forta të Xholit është hetimi ndërkombëtar i kokainës të shkrirë në vaj palme, që për shkak të dekonspirimeve të shumta që kishin ndodhur në Shqipëri të huajt ja besuan atij. Në kontekstin shqiptar hetoi dosjen Doshi- Durim Bami dhe hetime të tjera ndërkombëtare të kokainës.
Unë quhem Edvin Kondili !

44 vjeçari i bindur se duhet t’i jepet një shans dhe mundësi për ta provuar drejtimin e prokurorisë së posaçme SPAK, Edvin Kondili është magjistrat. Tentoi të fitonte edhe gjatë 2019, por pozitat e tij në atë kohë në KLP ishin të dobëta, mbasi qeveria e prokurorisë që përbëhet nga 11 anëtarë i kishte orientuar votat tek rivali i atëhershëm Arben Kraja.
Duket se kësaj radhe influence e votive ka ndryshuar dhe ai pritet në pozita më të favorshme përpara KLP. Ditën e parë sapo u diplomua nga shkolla e magjistaturës, atij ju dha drita jeshile për tu provuar në karrierë jo në prokurori të zakonshme, por në prokurorinë speciale të sapo hapur në atë kohë atë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kondili sipas atyre që e njohin nisi menjëherë detyrën e prokurorit special pranë prokurorisë së krimeve të rënda. Nga viti 2004 deri sa kjo prokurori u shpërbë, duke nisur nga funksionimi SPAK, Kondili ka punuar si prokuror në godinën e qelqtë
“Kam hetuar raste të trafikimit të drogës, të trafikimit të lëndëve shpërthyese. Vepra të cilat janë kryer nga organizata kriminale dhe grupe kriminale ku disa grupe kryenin vrasje me pagesë“ thotë Kondili.
CV e tij hetimore tregon se ai së bashku me prokurorin e përgjithshëm aktual, hetoi dosjen e Xibrakës për laboratorin e kokainës, dosjen e “Lazaratit 2” ku mbeti i vrarë punonjësi i policisë Ibrahim Basha.
“Kam patur dosje me metoda reale speciale siç janë ato me veprime speciale dhe të dorëzimit të kontrolluar”- shpjegoi Kondili para KLP duke veçuar se në disa çështje ka patur sukses duke shfrytëzuar edhe elementin e bashkëpuntorit të drejtësisë. “ Një element shumë thelbësor dhe i rëndësishëm për të zbuluar në detaj aktivitetin e grupeve kriminale” – thotë Kondili.
Edhe prokurori i posaçëm i SPAK-ut, Kondili u testua gjatë hetimit pasuror bazuar në ligjin antimafia në ish prokurorinë e krimeve të rënda.
“Pse unë kam aplikuar?” tha Kondili në atë kohë.
“Kam punuar prej 15 vitesh në prokurorinë e krimeve të rënda që ndoshta për fatin tonë ka qenë e vetmja prokurori që ka patur për kompetencë veprat penale që lidhen me krimin e organizuar. Eksperienca e gjatë në hetimin e këtyre veprave penale dhe në hetimin pasuror, natyrisht që mua më motivoi për të qenë pjesë e vlefshme e kësaj prokurorie” – deklaroi Kondili në atë kohë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




