Nga Gazeta 'Si' - Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se ligji për qeverisjen vendore e përcakton qartë se kush e drejton bashkinë në rast kur krijohet vakanca, duke iu referuar këtu rastit të bashkisë Himarë.
Balla u shpreh se në rastin e vakancës në bashkinë e Himarës, qeveria do zbatojë ligjin, ndërsa u shpreh se ekskluziviteti i vendimmarrjes i takon Këshillit Bashkiak të Himarës.
“Ligji e përcakton qartë rastet e vakancës, qoftë vakanca nga dorëheqja apo në formë tjetër. Nga ky moment brenda 48 orësh institucioni i prefektit njofton organet e tjera të qeverisjes vendore. Qeveria do zbatojë ligjin pikë për pikë”, tha Balla.
Lidhur me pyetjen se nëse "ekziston vullnet nga PS që bashkinë ta drejtojë përkohësisht një këshilltar i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ dhe jo një socialist, Balla u përgjigj:
"Unë jam ministri i Brendshëm dhe nuk më takon të bëj deklaratë politike, lidhur me vendimmarrjen e këshillit bashkiak të bashkisë Himarë. Ju e dini si veprohet kur krijohet vakanca, këshilli bashkiak komandon një kryetar për të kryer detyrën përkohësisht. Do të ishte e pavend që unë të jepja qofte edhe komente për këtë vendimmarrje që i takon këshillit të Bashkisë së Himarës".
I pyetur se çfarë qëndrimi ka qeveria për arrestimin e Jorgo Goros, Balla tha: “Qëndrimi ynë është i qartë, ne nuk komentojmë vendimet e drejtësisë. Drejtësia ka mbështetjen tonë për të çuar përpara luftën kundër korrupsionit dhe cdo formë tjetër të shkeljes së ligjit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.