Ne rrjet

Kush bën çfarë në Shtëpinë e Bardhë, nga zyrtarë, zëdhënës, këshilltarë, deri te kopshtarët (roli i tyre në prapaskenë)

Si çdo president, Donald Trump ka emëruar anëtarët e ngushtë të stafit të tij dhe pritet të caktojë qindra zyrtarë: disa ndikojnë në strategjitë politike, ekonomike dhe të sigurisë, të tjerët kujdesen për lulet ose banketet

Gazeta Si – Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, detyra e parë e çdo presidenti të zgjedhur është të përcaktojë ekipin e tij, stafin që do të punojë me të në Shtëpinë e Bardhë.

Donald Trump filloi menjëherë dy ditë pas zgjedhjeve, duke emëruar Susie Wiles në krye të kabinetit të tij. Është roli më i rëndësishëm, por ka dhjetëra, nëse jo qindra, të tjerë për të plotësuar.

Mandati i parë i Trump u shënua nga një konfuzion i madh dhe qarkullim i shpeshtë mes bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.

Gjetja e të njerëzve të duhur, mund të përcaktojë të ardhmen e një administrate: stafi është një komponent themelor, por në formën e tij aktuale është mjaft i domosdoshëm.

Shtëpia e Bardhë, Uashington

E filloi Roosvelt

Ishte viti 1936, kur presidenti i atëhershëm Franklin Delano Roosevelt ngarkoi tre ekspertë të shkencave politike për të studiuar ndryshimet e mundshme për ta bërë më efikas ushtrimin e pushtetit ekzekutiv (d.m.th. pushtetin e qeverisë) në Shtetet e Bashkuara.

Pas rreth dhjetë muajsh pune, tre studiuesit, të njohur si “Komisioni Bronlow” (sipas njërit prej tre anëtarëve, Louis Brownlow), paraqitën një raport prej 57 faqesh, hyrja e të cilit përmbante katër fjalë që do të bëheshin një pjesë e historisë politike amerikane: “The President needs help” (Presidenti ka nevojë për ndihmë).

Raporti ofronte një portret të llojit të asistentit që do t’i duhej presidentit: “Ai duhet të qëndrojë në prapaskenë, të mos japë urdhra, të mos marrë vendime dhe të mos bëjë deklarata publike. Duhet të ketë aftësi të nivelit të lartë, qëndrueshmëri të madhe fizike dhe pasion për anonimitetin”.

Raporti i komisionit do të çonte në miratimin nga Kongresi i Aktit të Riorganizimit në vitin 1939, riorganizimi më i rëndësishëm i qeverisë së Shteteve të Bashkuara deri në atë kohë, i cili ka ende ndikim të madh në punën e presidentit sot.

Akti i Riorganizimit prezantoi gjashtë “asistentë ekzekutivë” dhe çoi në krijimin e Zyrës Ekzekutive të Presidentit: më parë, që nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, presidenti shpesh kishte vetëm një sekretar dhe disa ndihmës informalë, por punonte kryesisht me anëtarët e kabinetit.

Betimi i disa anëtarëve të stafit të Donald Trump në vitin 2017

Të paktën 500 punonjës

Nga viti 1939, numri i bashkëpunëtorëve që raportonin drejtpërdrejt te presidenti u rrit me shpejtësi. Sot, rreth 80 vjet më vonë, stafi që varet nga Shtëpia e Bardhë numëron mbi 500 persona, të cilët janë bërë thelbësorë për të garantuar funksionimin korrekt të makinës gjigante administrative të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Çdo politikan i nivelit të lartë organizon një ekip pune personal, duke mos qenë në gjendje të mbështetet në strukturat partiake, të cilat janë shumë më të dobëta dhe më pak të qëndrueshme, se për shembull në Evropë.

Ky ekip bashkëpunëtorësh personalë e shoqëron kandidatin presidencial edhe gjatë fushatës së gjatë e të furishme elektorale: nëse më pas ka sukses, bashkëpunëtorët më të afërt konfirmohen në role të rëndësishme në administratë.

Këshilltari për politikën e jashtme të një kandidati, për shembull, mund t’i bashkohet Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pasi kandidati të bëhet president.

Por sapo të arrijë në presidencë, ka shumë më tepër punë për të bërë dhe ka më shumë role për të plotësuar: zakonisht ekipi i zgjedhur nga një kandidat në fushatën zgjedhore është i destinuar të zgjerohet ndjeshëm pasi të arrijë në Shtëpinë e Bardhë.

Foto e kastit të serialit amerikan, “The West Wing”

Roli i stafit

Për stafin tregohet shumë, në dhjetëra filma, romane dhe seriale televizive: puna gjithëpërfshirëse dhe e përjetshme, përgjegjësitë e mëdha, stresi dhe marrëdhëniet shumë të ngushta që krijohen në grup, janë një klishe e këtyre rrëfimeve.

Por shpesh shumë afër realitetit. Disa nga këto përfaqësime janë më të trilluara, të tjera janë më besnike ndaj asaj që ndodh në të vërtetë në Shtëpinë e Bardhë: mes këtyre të fundit është sigurisht “The West Wing”, një serial nga Aaron Sorkin, i cili u transmetua midis 1999 dhe 2006, i fokusuar tërësisht në punën në “prapaskenë” të ekipit të bashkëpunëtorëve të presidentit.

Zyrtarët e stafit të Shtëpisë së Bardhë, madje edhe në nivelin më të lartë, nuk zgjidhen, por emërohen personalisht nga presidenti dhe me disa përjashtime nuk duhet të kalojnë as miratimin e Senatit, i cili është i nevojshëm për emërimin e ministrave ose gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Zyrtarët mbajnë role të ndryshme brenda qeverisë federale, trajtojnë shumë çështje politikash duke filluar nga ekonomia te siguria kombëtare dhe kanë në dispozicion qindra miliona dollarë buxhete.

Puna në Shtëpinë e Bardhë mund të nisë karriera të rëndësishme në politikë ose në sektorin privat, por është veçanërisht intensive dhe i nënshtrohet qarkullimit të vazhdueshëm.

Presidenti Donald Trump gjatë një takimi zyrtar në dhomën e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, SHBA, 20 mars 2017

Shkarkime dhe dorëheqje

Mandati i kreut të kabinetit është rreth 18 muaj, por shkarkimet dhe dorëheqjet janë të shpeshta edhe në role të tjera.

Midis 2017 dhe 2020, administrata e parë e Trump theu çdo rekord: 92 përqind e punonjësve të nivelit më të lartë të Shtëpisë së Bardhë që filluan mandatin e tyre, nuk e përfunduan atë.

Trump ka ndryshuar katër shefat e kabinetit, pesë drejtorët e komunikimit dhe pothuajse të gjithë menaxherët kryesorë, qoftë me iniciativën e tij ose pas dorëheqjeve të të përfshirëve.

John Bolton, i cili shërbeu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për rreth një vit e gjysmë gjatë presidencës Trump, tregoi përvojën e tij në një nga librat e shumtë të shkruar nga ish-zyrtarë të qeverisë.

Bolton përshkroi një mjedis pune të çmendur, konkurrues dhe të paparashikueshëm: “Të punosh në Shtëpinë e Bardhë nën presiencën Trump, ishte si të jetoje brenda një makinerie ‘pinball’, ose fliper”, – shkroi ai.

Marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të stafit organizohen mbi bazën e një strukture të ngurtë hierarkike, në krye të së cilës është kreu i kabinetit: kompetencat e tij janë të gjera, në fakt superiore nga ato të zëvendëspresidentit, i cili është zyrtarisht posti i dytë më i lartë i shtetit.

Shefi i kabinetit

Shefi i kabinetit kryen një numër të konsiderueshëm funksionesh dhe ka një rol qendror në përcaktimin e strategjive të Shtëpisë së Bardhë, nga agjenda legjislative, deri te komunikimi i veprimtarisë së qeverisë.

Ai vendos prioritetet politike dhe organizon menaxhimin e krizave ndërkombëtare, por roli potencialisht më kritik është ai i “filtrimit”.

Ai ose ajo vendos se cilat zgjedhje duhet të bëhen personalisht nga presidenti dhe cilat mund të delegohen, kontrollon agjendën e tij, ka fjalën e fundit se me kë takohet, siguron që ai të përdorë kohën e tij për prioritetet dhe të mos e harxhojë atë në detaje që mund t’i shmangë.

Me pak fjalë, ai zgjedh se me çfarë duhet të merret presidenti dhe me kë duhet të flasë, duke u ofruar si përfaqësues i tij në shumë raste të tjera.

Roli fillimisht u quajt “asistent i presidentit”, por emri u ndryshua në vitin 1953 nga presidenti republikan, Dwight D. Eisenhower.

Ronald Reagan me disa anëtarë nga nga stafi i tij në Air Force One në vitin 1989

Precedentët

Historianët e Shtëpisë së Bardhë thonë se në ditën e tij të parë në detyrë, një drejtues i ka dhënë atij një letër, por Eisenhower bërtiti dhe vendosi një rregull të ri: “Nuk dua të marr më kurrë një zarf të mbyllur”.

Asnjë dokument ose komunikim nuk duhet të kishte arritur në tryezën e tij përpara se dikush që ai i besonte ta kishte ekzaminuar atë.

Për të kryer këtë dhe funksione të tjera, ai zgjodhi si ndihmësin e tij Sherman Adams, ish-guvernator i New Hampshire, i njohur si një person veçanërisht nervoz.

Disa presidentë preferojnë një figurë shumë të vendosur dhe autoritare për rolin, duke përcaktuar stilin e administrimit të tyre me këtë zgjedhje.

Presidenti republikan, Richard Nixon, në detyrë për dy mandate midis 1969 dhe 1974, zgjodhi Harry Robbins Haldeman si shef të shtabit të tij.

Ai njihej me nofkën si “bir ku…” i presidentit dhe kishte vendosur rregulla strikte dhe një klimë shumë të tensionuar mes punonjësve të tij.

Pas skandalit të “Watergate”, që çoi në dorëheqjen e Nixon-it në vitin 1974, Haldeman u akuzua për komplot dhe pengim të drejtësisë: ai përfundoi në burg së bashku me katër nga këshilltarët e tjerë më të afërt të presidentit.

Në një dokumentar të vitit 2013, Rahm Emanuel, shefi i kabinetit të presidentit demokrat Barack Obama, tha: “Për çdo gjë midis së mirës dhe së keqes, mund të kujdeset dikush tjetër. Vetëm ajo që është mes të së keqes dhe të tmerrshmes, duhet të arrijë në Zyrën Ovale”.

Leon Panetta, i cili ka punuar për presidentin demokrat Bill Clinton, e përshkroi rolin e tij në këtë mënyrë: “Duhet të jesh personi që thotë ‘jo’!. Në thelb duhet të jesh maskarai, i cili u tregon njerëzve atë që presidenti nuk mund ta thotë”.

Zyra Ovale e presidentit amerikan, Joe Biden

Trump dhe Obama

Me Trumpin, komunikimi i të cilit është shumë i drejtpërdrejtë dhe shpërthimet e tij janë të njohura, kjo është vetëm pjesërisht e vlefshme, megjithatë, Susy Wiles, do të duhet të ndërmjetësojë që prej 20 janarit 2025.

Kur presidenti merr një vendim ose vendos një linjë politike për të ndjekur për një çështje të caktuar, shefi i stafit duhet të sigurojë që udhëzimet dhe informacionet e sakta të kalojnë nga Shtëpia e Bardhë tek pjesa tjetër e administratës, duke përfshirë anëtarët e qeverisë.

Obama shpjegoi: “Kam mësuar se arritjet e mëdha janë zakonisht rezultat i një pune shumë të pistë. Për punën e pistë, kujdeset shefi i kabinetit”.

Këshilltar, strateg, negociator me Kongresin, menaxher i një grupi të jashtëzakonshëm pune që shpesh zgjedh personalisht, kreu i kabinetit në disa administrata ka marrë një pushtet personal që konsiderohet i tepruar për një zyrtar të pazgjedhur.

Disa nga këshilltarët kryesorë politikë dhe ekonomikë të Joe Biden në maj 2023

Shefi i kabinetit

Ndodhi për shembull në vitet shtatëdhjetë, gjatë mandateve presidenciale të Nixon-it dhe më pas Gerald Ford, shefi i fundit i stafit të të cilit ishte Dick Cheney (më vonë ndër nënpresidentët më të fuqishëm me George W. Bush).

Në atë periudhë pushteti i përqendruar në duart e shefave të kabineteve të ndryshme u bë aq i madh, sa që në vitin 1976 kandidati demokrat për president, Jimmy Carter, premtoi se nëse zgjidhej, nuk do ta emëronte atë: gjatë mandatit të tij, roli mbeti bosh mbi dy vjet.

Zyra Ekzekutive e Presidentit, e drejtuar nga shefi i kabinetit, ka tre nivele hierarkike: asistentë, zëvendës ndihmës dhe ndihmës specialë. Asistentët përfaqësojnë grupin më me ndikim të ndihmësve të presidentit.

Normalisht janë rreth njëzet prej tyre dhe i ndajnë detyrat. Disa janë përgjegjës për funksionimin e makinës së madhe vendimmarrëse të lidhur me presidentin, për shembull marrjen e përgjegjësisë për organizimin e udhëtimeve dhe takimeve, por edhe për shkrimin e fjalimeve.

Një grup tjetër asistentësh, ka role të një natyre më strikte politike dhe menaxhon çështjet ekonomike, administrative dhe të sigurisë.

Për këtë arsye, shefi i kabinetit është vazhdimisht në komunikim me 15 anëtarët e qeverisë që drejtojnë departamentet, ekuivalenti i ministrive tona: Sekretari i Shtetit (Ministri i Jashtëm), Sekretari i Thesarit, Prokurori i Përgjithshëm, etj.

Megjithatë, një grup i tretë duhet të merret me marrëdhëniet midis presidentit dhe subjekteve “të jashtme”, si Kongresi, shtypi dhe grupet e interesit: këshilltari i çështjeve legjislative dhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, ndër të tjera, hyjnë në këtë kategori.

Salla e konferencave për mediat në Shtëpinë e Bardhë

Ndihmës-asistentët

Nga ana tjetër, secili prej asistentëve mund të llogarisë në disa zëvendës asistentë dhe asistentë specialë, shpesh të specializuar në tema të veçanta, si dhe në një sërë punonjësish.

Kreu i kabinetit në përgjithësi ia cakton çdo çështje dhe çdo detyrë specifike një asistenti të caktuar, i cili i menaxhon ato dhe bëhet përgjegjës për to: kjo mund të jetë e vlefshme për një krizë ndërkombëtare, si dhe për një reformë legjislative, ose për planifikimin e një fushate komunikimi për një temë specifike.

Shpesh është ndihmësi i caktuar ai që ia paraqet ato presidentit kur duhet të merret një vendim përfundimtar.

Kennedy, për shembull, krijoi grupe pune specifike për të organizuar reforma të rregulloreve tregtare dhe bujqësore.

Më pas, çdo president mund të formojë stafin dhe funksionet sipas nevojave të tij personale, si dhe të shtojë figura, ato të “këshilltarëve të lartë”, të cilët shpesh janë ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në nivel politik dhe marrin pjesë në të gjitha takimet e rëndësishme.

Zyrë pritjeje në Shtëpinë e Bardhë

Mjeku i Bidenit

Sipas të dhënave të bëra publike në korrik 2023, punonjësi më i paguar i stafit të Joe Biden, ishte Demetre C. Daskalakis, një mjek që ka rolin zyrtar të zëvendës koordinatorit të ekipit që merret me emergjencën e lisë së majmunëve në Shtëpinë e Bardhë.

Ai fiton 260,000 dollarë në vit. Nëntëmbëdhjetë anëtarë të stafit nuk kanë pagë: 12 prej tyre klasifikohen si “këshilltarë politikë”. Kaq shumë punonjës nuk mund të futen të gjithë brenda Shtëpisë së Bardhë.

Nivelet më të larta, ose ato për të cilat aksesi i vazhdueshëm tek presidenti konsiderohet i nevojshëm, i kanë zyrat e tyre në West Wing (Krahun Perëndimor), ku ka edhe Zyrën Ovale Presidenti, Dhoma e Situatave, ku menaxhohen krizat dhe çështjet e sigurisë ndërkombëtare ose kombëtare, si dhe dhoma “Roosevelt”, e cila përdoret për takime.

Të gjitha janë lehtësisht të arritshme nga zyrat e stafit: Krahu Perëndimor gjithashtu përfaqëson hapësirat e stafit me mjaft besnikëri.

Kur zëdhënësi i administratës së Xhorxh W. Bush, Scott McClellan u pyet në vitin 2003, se sa i vend të rëndësishëm zë përfaqësimi, ai bëri vetëm dy shënime: “Në Shtëpinë e Bardhë ka shumë njerëz që ecin nëpër korridore dhe zyrat e vërteta janë më të vogla se sa duken në televizion”.

Dhoma e Situatave më 1 maj 2011, gjatë operacionit të marinsave amerikanë për vrasjen e Osama Bin Laden

Operacioni për vrasjen e Bin Ladenit

Këshilltarët kryesorë kanë zyrat e tyre në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë: këshilltari për sigurinë kombëtare, një pozicion që në të kaluarën i përkiste edhe Henry Kissinger-it, ka akses në pothuajse të gjitha raportet e inteligjencës dhe përgatit takime, udhëtime dhe telefonata ndërkombëtare.

Me kalimin e viteve, këshilltarët e emëruar nga presidenti që merren me sigurinë, terrorizmin dhe politikën ndërkombëtare, kanë marrë një rëndësi të veçantë.

Në foton e famshme që portretizon ekipin qeveritar pas operacionit që çoi në vrasjen e Osama bin Ladenit në vitin 2011, vendet në Dhomën e vogël të Situatave janë zënë nga presidenti, zëvendëspresidenti, Sekretari i Shtetit dhe Sekretari i Mbrojtjes, si dhe dy gjeneralë.

Pas tyre, së bashku me Shefin e Shtabit të Ushtrisë, janë disa nga bashkëpunëtorët më të fuqishëm dhe më të pazgjedhur: Tom Donilon, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare; Bill Daley, shef i stafit; Antony Blinken, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Zëvendës Presidentit, Audrey Tomason, Drejtoreshë e Kundërterrorizmit; John Brennan, Asistent i Presidentit për Sigurinë Kombëtare dhe Kundër Terrorizmit; James Clapper, drejtor i inteligjencës kombëtare.

Denis McDonough, zëvendës këshilltar për sigurinë kombëtare, është ulur në të djathtë të Hillary Clinton: ai më vonë do të bëhej shefi i shtabit të Obamës nga 2013 deri në 2017.

Zonja e Parë aktuale, Jill Biden në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë

Drejtorë e këshilltarë

Drejtorët e Këshillit Ekonomik, e Këshillit të Politikave të Brendshme dhe Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin janë referenca kryesore për vendimet për ndarjen e fondeve dhe prioritetet administrative: shumë nga zgjedhjet buxhetore lindin nga iniciativat e tyre ose kalojnë nga kontrolli i tyre.

Një tjetër figurë qendrore, me të cilin të gjithë herët a vonë duhet të merren, është këshilltari ligjor: ai drejton një zyrë që mund të numërojë deri në pesëdhjetë juristë dhe studentë të drejtësisë, të cilët çdo vit aplikojnë nga universitetet më të mira amerikane për një praktikë.

Ai nuk është avokat personal i presidentit edhe nëse kandidati i zgjedhur shpesh zgjedh një profesionist me të cilin ka qenë i lidhur për një kohë të gjatë: në kohët e administratës së zakonshme funksionet e tij variojnë nga analiza e kandidatëve për emërime në drejtësi, deri te kontrolli i aspekteve ligjore të propozimeve të ekzekutivit.

Po ashtu, ai këshillon presidentin për kufijtë e kompetencave të tij dhe udhëzon stafin për rregullat etike dhe respektimin e procedurave.

Por kohët e administrimit të zakonshëm janë të rralla, siç tha Peter Wallison, këshilltar ligjor i administratës së Reganit: “Mund të jeni të sigurt se do të plasë një skandal i madh: kështu funksionon, ndodh gjithmonë. Kur e pranon atë punë, e dini se jeni në një stuhi. Por ju nuk e kuptoni se përkundrazi do t’ju duhet të përballeni me një stuhi dëbore të madhe, të pamasë dhe të paharrueshme”.

Shumica e punonjësve punojnë në ndërtesën e Zyrës Ekzekutive Eisenhower, e cila ndodhet pranë Shtëpisë së Bardhë.

Në këtë godinë të shekullit të 19 ndodhen edhe zyrat e stafit të zëvendëspresidentit, ndërsa ajo e Zonjës së Parë ndodhet në krahun lindor të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Bill Clinton me ish-Sekretarin e Shtypit të administratës Reagan, James Brady

Figura jo-politike

Mes punonjësve të Shtëpisë së Bardhë ka shumë figura të rëndësishme jopolitike: një nga më të njohurat për publikun është ai i zëdhënësit, i cili drejton konferenca për shtyp, mban konferenca mjaft të shpeshta dhe ka marrëdhënie të vazhdueshme me mediat.

Sarah Huckabee Sanders, një nga zëdhënëset e zëshme që punoi gjatë presidencës Trump dhe ndoshta ndër më të vendosurat në mbrojtjen e teorive të pamundura dhe konspirative të presidentit të atëhershëm, më vonë u bë guvernatore e Arkansasit.

Salla e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, e cila ka vetëm 49 vende të menaxhuara nga Shoqata e Korrespondentëve (ajo vendos çdo herë se kush nga 200 gazetarët që mbulojnë presidentin çdo ditë mund të ketë akses), mban emrin e “James Brady”, zëdhënës i Ronald Reagan, i cili ishte i paralizuar, pasi u plagos në sulmin e vitit 1981 ndaj presidentit të atëhershëm.

Gjatë administratës së Obamës, fotografit zyrtar, Pete Souza, i cili kontribuoi në krijimin e imazhit publik të presidentit, iu dha gjithashtu akses më i gjerë dhe më i vazhdueshëm në aktivitetet e Shtëpisë së Bardhë.

Sekretari i stafit (i cili në realitet është pothuajse gjithmonë sekretar), ishte një nga rolet e para të prezantuara në Shtëpinë e Bardhë dhe mbetet një nga më të rëndësishmit sot.

Ai menaxhon hartimin dhe shpërndarjen e të gjitha dokumenteve që qarkullojnë në Shtëpinë e Bardhë dhe arrijnë te presidenti, duke përfshirë memorandumet, materialet informuese, listat për pozicionet e mundshme, dosjet e inteligjencës, korrespondencën dhe draft fjalimet.

Ish-presidenti Barack Obama dhe disa anëtarë nga stafi i tij hipin në një nga helikopterët presidencialë në vitin 2016

Stafi i padukshëm

Drejtori i Zyrës Ushtarake, organizon transportin dhe kujdeset për shërbimin mjekësor dhe katering në Shtëpinë e Bardhë.

Nën juridiksionin e tij janë edhe helikopterët e përdorur për transferimet e presidentit dhe administrimi i “Air Force One”, avioni presidencial.

Kreu i ceremonive në Shtëpinë e Bardhë menaxhon një staf prej rreth 90 personash, i cili përfshin kopshtarët, pastiçerët dhe kasapët dhe është përgjegjës për organizimin e ngjarjeve me familjen e presidentit: ishte një nga rolet e pakta që nuk prekej me ndryshimin e administratave çdo 4 apo 8 vjet, por Trump dhe Biden nuk e ndoqën këtë zakon.

Ka pozicione që janë trashëgimi e së kaluarës, edhe pse ato ende kryejnë disa funksione, siç është kaligrafi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë dhe të tjerë, që secili president i cakton sipas nevojave të tij: shumë prej tyre kanë pasur një “body man o body woman” (“burrë apo grua hije”), të cilët i ndiqnin kudo dhe që nuk kishin detyra specifike, përveç atyre që presidenti ua besonte herë pas here.

Blake Gottesman ndihmoi George W. Bush me menaxhimin e qenit dhe me organizimin e radhëve për autografe, Reggie Love, ndër të tjera, luajti edhe basketboll me Obamën: për ditëlindjen e tij të 50-të, ai organizoi një ndeshje për të me disa lojtarë të mëdhenj, si p.sh. LeBron James dhe Magic Johnson, kampionë të NBA, të Ligës Profesionale Amerikane.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë