Kosova

Kusari-Lila: Hera e parë që Kosovës do i vendosen masa ndëshkuese për arsye që nuk i artikulojnë dot

Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar në lidhje me masat e paralajmëruara nga BE-ja, që pritet të aplikohen ndaj Kosovës, si ndëshkim për situatën e tensionuar në veri të vendit.

Ajo u shpreh se këto masa do të ndodhin për herë të parë në historinë e Unionit.

“Do të jetë hera e parë në historinë e BE-së dhe ndoshta e fundit që Komisioni Evropian vendos masa ndaj demokracisë për arsye që nuk mund t’i artikulojnë”, tha Kusari-Lila.

Deputetja shkroi në një postim në llogarinë e saj në Twitter se këto masa po vendosen ndaj Kosovës, pavarësisht se shteti tentoi të vendoste sundimin e ligjit dhe pse respektoi rezultatin e zgjedhjeve.

“Ose, mund të jetë pse: Kosova u përpoq të zgjeronte sundimin e ligjit në territorin e saj; Kosova mbajti zgjedhjet dhe respektoi rezultatet”, shkroi ajo.

Drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman, ka paralajmëruar se BE-ja gjatë kësaj jave do të njoftojë për masat ndëshkuese të përgatitura ndaj Kosovës për shkak të “mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të shtetit”.

Koopmani tha se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë