Politike

Kurz në Beograd: Serbia në BE po gjeti zgjidhje me Kosovën

Gjatë vizitës së tij në Beograd, kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha se është e rëndësishme që dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës jo vetëm të vazhdojë, por edhe të përfundojë me sukses, sepse një gjë e tillë, siç u shpreh ai, është mënyra e vetme për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Është një mundësi unike që historia të mbetet histori dhe së bashku të ecim drejt së ardhmes”, tha Kurz në konferencën e përbashkët për media me presidentin serb,, Aleksandar Vuçiç.

“Nga këndvështrimi im, ky dialog duhet të përfundojë me sukses dhe për këtë u kërkoj njerëzve që t’i mbështesin të gjithë politikanët që duan të marrin këtë rrugë. E kemi të rëndësishme bashkëjetesën paqësore, që e kaluara të mbetet e kaluar dhe në këtë rajon të ketë qëndrueshmëri e paqe dhe jo shkatërrim e luftë”, vijoi Kurz.

Vuçiç theksoi se Austria, edhe pse para dhjetë vjetësh e ka njohur pavarësinë e Kosovës, mbështet çdo zgjidhje midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Serbët dhe shqiptarët janë milje larg nga çdo zgjidhje, por nëse arrijnë të bëjnë kompromis, kjo do të garantonte paqen në 100 vjetët e ardhshëm”, vijoi presidenti serb.

Ditën e nesërme, Kurz do të vizitojë Prishtinën, në një përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët me krerët e vendit për vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë