Kosova

Kurti zbulon 3 ‘fytyrat’ e Vuçiç: Ai kundër Kosovës është më i vërteti. Ka interes që të shkatërrohet marrëveshja

Nga Gazeta ‘Si’- Për Albin Kurtin, gjuha e përdorur nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe përqasja që ai ka ndaj Kosovës kur flet për mediat dhe popullin e tij, është  diametralisht e kundërt nga ajo që përdor kur diskuton ndarazi me ndërkombëtarët.

I pyetur nga moderatorja Alba Alishani në emisionin “Debat” në A2 CNN, nëse Vuçiç është aq i ashpër dhe radikal siç e shohim në prononcimet e tij publike, edhe kur negocion me të në Bruksel, Kurti u përgjigj duke thënë: “Besoj që ajo çfarë thotë publikisht dhe ajo çka ka deklaruar nuk janë të ndryshme, mirëpo ajo çfarë u thotë ndërkombëtarëve në takime ndarës me atë, duket se ata shohin një Vuçiç tjetër e andaj janë sjellur dhe më butë me të”.

Sipas shefit të qeverisë në Prishtinë, janë 3 versione të Vuçiç, të cilat dalin në pah në situata dhe raporte të ndryshme.

“Është e qartë se nuk ka veç një Vuçiç, një është kundër Kosovës, që është më i vërteti. Dhe janë dy të tjerë, një është për konsumin e brendshëm të popullsisë në Serbi dhe një tjetër për politikanët dhe diplomatët ndërkombëtar. Por kjo karshi Kosovës shprehet si publikisht si në takime, nuk mund të them se është e ndryshme.”

Kurti nënvizoi se palët kanë avancuar shumë në dialog dhe nuk është nevoja të sulmohet Kosova, kur është Aleksandër Vuçiç ai që synon të shkatërrojë marrëveshjen e Ohrit, e cila duhet vënë në zbatim.

“Ne kemi shumë më shumë se dialog ne kemi marrëveshje. Nuk është nevoja të theksojmë procesin kur kemi rezultatin. Pse nuk po respektohet marrëveshja, përgjigja është në Beograd. Ne kemi avancuar shumë në dialog, është sukses i madhe dhe i BE e SHBA kjo marrëveshje bazike, që ka aneksin zbatues të Ohrit si pjesë integrale. Takimet nuk janë thelbi, thelbi është marrëveshja. Vuçiçi ka interes që të shkatërrohet marrëveshja, unë kam interes që të mbrohet marrëveshja.”

I pyetur se si janë përballjet me Vuciç në të njëjtën tryezë në Bruksel, Kurti zbuloi disa detaje, duke dashur të theksojë se ai asnjëherë nuk ka përdorur gjuhë të ashpër apo fyese ndaj Presidentit të Serbisë.

“U bënë shumë aso tryezash. Në ato takime unë kam respektuar gjithmonë rregullat e negociatave. Gjuha e dialogimit është anglishtja dhe gjatë këtyre 3 viteve me këto takime, nuk mund të gjeni asnjë moment të vetëm, ku unë kam përdorur ndonjë fjalë që nuk është e përshtatshme edhe për fëmijët, e që nuk mund të thuhet për palën tjetër.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë