Kosova

Kurti: Vuçiçi është kërcënim për përsëritjen e krimeve të Millosheviçit

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Albin Kurti, gjatë seancës solemne tha se sot është ditë përkujtimi për të gjithë që flijuan shumëçka e gjithçka për lirinë që populli i Kosovës gëzon sot.

Prandaj, siç tha ai, nuk ka kompromis me Republikë dhe sovranitet.

“Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra dhe gra e fëmijë, që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e Republikës, së paku që nga viti 1968 e më tej, ndoshta s’e kishin të njëjtin vizion se si do të ishte Republike, por kishin të njëjtën dëshirë për liri. Republika në radhë të parë është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj kur vjen fjala te Republika dhe sovraniteti ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe zhvillimin”, tha Kurti.

Ndër të tjera, Kurti tha se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po akuzohen padrejtësisht, pasi siç tha ai, ata guxuan të marrin armët për liri. Ai akuzoi presidentin serb Aleksendar Vuçiç se është kërcënim për përsëritjen e krimeve të Millosheviçit.

“Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës brengosemi që krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër shtypjes 1-shekullore. Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik e politik të luftës çlirimtare, të cilës ia detyrojmë lirinë e sotme.

Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviçit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiçit. Barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidial është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne”, tha ai.

Kurti e mbylli fjalimin e tij duke u shprehur se, “sakrifica e njerëzve tanë për liri ka qenë e përkryer. Puna jonë për Republikën duhet të jetë po aq e përkryer”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë