Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është penduar që i ka thënë ‘po’ Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “e di që është e mirë për Kosovën dhe refuzon ta nënshkruajë”.
Ai e cilësoi situatën në veri të Kosovës si “të tensionuar dhe të rrezikshme”, por tha se nuk mund të kontribuojë në krijimin e strukturave paralele, sepse “nëse objektet komunale nuk janë për kryetarë, atëherë për kë janë?!”
“Legjitimiteti (i kryetarëve) është i vakët, mirëpo legaliteti është i plotë. Dhe, ata që na kritikojnë për legjitimitet, nuk kanë legjitimitet sepse i kanë braktisur institucionet”, tha Kurti para ligjvënësve kosovarë,
Kurti, po ashtu, tha se protestuesit në veri të Kosovës nuk kërkojnë zgjedhje të reja komunale.
“Pushteti në Kosovë mund të merret veç me zgjedhje, jo me sulme e granata. Nuk është kjo protestë në veri për zgjedhje të reja, këto janë protesta me kryqin me 4 ‘S’ dhe simbolin ‘Z’ Protestave të njerëzve që adhurojnë Millosheviçin dhe Putinin dhe paguhen nga Beogradi.
Ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme te ndërkombëtarët. Ata japin këshilla dhe rekomandime dhe jo urdhra. Urdhra jepen për brenda shtetit tonë, ndaj ne nuk do duhej të respektojmë shtetin më pak se sa e bëjnë partnerët tanë.
Tani unë karshi demokratëve jam demokrat, përballë ekstremistëve shovanist, nuk mund të jem vetëm demokrat, duhet të jesh edhe sovranist”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




