Kosova

Përfundon raundi i parë i takimit. Kurti dhe Vuçiç bisedojnë veç e veç me Borell, gjatë ditës sërish përballë njëri-tjetrit

Në Bruksel ka përfunduar rundi i parë i takimit trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Siç mëson Radio Evropa e Lirë do të ketë takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së, me qëllim që liderët të takohen sërish gjatë ditës.

Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Borrell pret fleksibilitet nga Kosova dhe Serbia

Ndërkaq, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më herët gjatë 18 gushtit tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve, teksa palët po takohen në Bruksel në rundin e ri të dialogut.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.

“Kam thirrur për këtë mëngjes takimin e dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël, për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shkruar Borrell.

Në faqen zyrtare të BE-së më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, gjatë takimit do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve.

Kurti dhe Vuçiç janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë