Kosova

Kurti viziton veriun, Lista Serbe: Ka qëllim destabilizimin, donte të provokonte serbët

Nga Gazeta ‘Si’- Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka deklaruar se përmes vizitës së sotme në veri, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka për qëllim destabilizimin e situatës në terren dhe shkaktimin e tensioneve.

Sipas Listës Serbe, Kurti me vizitën e tij ka pasur qëllim të nxisë reagimin e popullit serb e më pas të paraqitej si viktimë për të fituar vota në zjgedhjet e ardhshme.

“Parakalimi i Albin Kurtit me dhjetëra automjete dhe njëqind forca speciale shqiptare të armatosur deri në dhëmbë në veri të Kosovës dhe Metohisë shqetësoi serbët në Kosovë dhe Metohi të cilët e panë me neveri këtë spektakël. Ardhja e Kurtit në veri me formacione parapolicie synon për të destabilizuar situatën në terren dhe për të provokuar tensione. Është më se e qartë se me ardhjen e tij ai donte të nxiste reagimin e popullit serb dhe të paraqitej si viktimë për të fituar edhe disa pikë politike apo vota për zgjedhjet e ardhshme”, sipas Listës Serbe.

LS theksojnë se presin që organizata kompetente ndërkombëtare të reagojë ndaj, siç thonë ata, provokimit.

“Ne presim që Shërbimet kompetente të dezinfektojnë rrugët ku ai ka lëvizur dhe në këtë mënyrë të mbrojnë shëndetin e qytetarëve tanë. Kërkojmë që organizatat kompetente ndërkombëtare të reagojnë ndaj këtij provokimi evident dhe të kërkojnë nga populli i tyre që të ndalojë shtypjen ndaj popullit serb, i cili kësaj radhe tregoi vetëpërmbajtje dhe durim të jashtëzakonshëm ”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Kurti ka vizituar Komunën e Leposaviçit, ndërsa është raportuar se ka qenë edhe në Zubin Potok.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë