Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë një vizitë në Lepasoviç dhe Mitrovicë të Veriut ditën e sotshme.
I shoqëruar nga ministrat, Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqi, ai ka vendosur gurthemelin e një stacioni policor. Kurti nuk preferoi të flasë për mediat pas përfundimit të ceremonisë.
Ndërkohë, kjo vizitë nuk ka qenë e paralajmëruar në agjendën e kryeministrit për datën 10 shtator.
Vizita e Kurtit në veri përkoi në të njëjtën ditë kur Serbia akuzoi Kosovën për arrestimin me dhunë të katër serbëve në Mitrovicë të Veriut.
Teksa Kurti po vizitonte një restorant shqiptarësh, lideri i partisë Demokracia Serbe Aleksandar Arsenijeviç u arrestua pasi i fishkëlleu kryeministrit të Kosovës.
Në qendër të qytetit ishin të pranishme forca të forta të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe njësitë speciale me autoblinda.
Gjithashtu, sipas mediave serbe, është ndaluar edhe nënkryetari i kësaj partie Ivan Orloviç për prishje të rendit dhe qetësisë publike për shkak të vizitës së ministrave nga Prishtina në pjesën veriore të Mitrovicës.
Veton Elshani, zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut tha se të dy do të gjobiten dhe do lirohen ditën e nesërme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.