Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se totali i gjenerimit të energjisë elektrike, me kapacitet vendor më 19 janar ka qenë 727 megavat, ndërkaq konsumi ka arritur deri në 1.317 megavat.
Teksa ka diskutuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten,20 janar,për çmimin e energjisë elektrike, pas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji(ZRRE) në Kosovë për rritjen e çmimit, Kurti tha se importi ka qenë mbi 10 gigavat orë.
“Nëse marrim përafërsisht 240 euro një megavat orë që e kemi blerë, në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm, në kushtet kur konsumojmë shumë më tepër se gjenerojmë, kur e shumëzojmë, del se dje, më 19 janar, kemi paguar për import të energjisë, 2.5 milionë euro.
“Ku t’i marrim 2.5 milionë euro? Asnjëri nuk dëshiron që energjia të jetë e shtrenjtë”, ka thënë Kurti.
Deputetët e partive opozitare kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për keqmenaxhim të situatës me energji elektrike dhe kanë kundërshtuar propozimet për rritje të çmimit të energjisë.
Ata ia kanë ndërprerë fjalën zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pasi ky i fundit u ka thënë deputetëve se po manipulojnë me shifrat për rritje të çmimit.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se në proces do të kenë një mocion procedural që lidhet me këtë çështje dhe ka ftuar partitë tjera në Kuvend që ta mbështesin.
Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka akuzuar kryeministrin Kurti se është i paftë të menaxhojë situatën.
“Qytetarët e Kosovës po përballen me një krizë të jashtëzakonshme dhe me një kërcënim nga Qeveria për rritje të çmimit të energjisë përreth 300 për qind”.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se janë mbi 200 mijë familje që shpenzojnë mbi 800 kilovat.
Sipas tij, Kosova po bëhet një nga shtetet me çmimin më të lartë të energjisë.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se për situatën e krijuar edhe me çështjen e energjisë elektrike fajtore janë qeveritë e kaluara.
“Nuk është Lëvizja Vetëvendosje që solli këtë gjendje, janë veprimet apo mosveprimet e partive që ishin në pushtet, të cilat e sollën faturën që sot po ballafaqohemi të gjithë”, tha Kusari Lila.
Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë, për ngritje të tarifave të energjisë së shpenzuar elektrike ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E.
Siç shpjegohet në Raportin Konsultativ të ZRRE-së për rritja e çmimit të energjisë prek vetëm dy kategori të amvisërive, D dhe E, përkatësisht ata qytetarë që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1000 kilovatë.
Kosova ka disa kohë që përballet me reduktime të energjisë elektrike.
Kjo situatë ka ardhur si pasojë e krizës globale të energjisë dhe rritjes së çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të KEDS, kompania që furnizon konsumatorët me energji elektrike, fillimi i reduktimeve ka ardhur pas udhëzimeve që kanë marrë nga Operatori i Tregut të Energjisë në Kosovë, KOSTT.
Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi tek konsumatorët, sidomos tek bizneset të cilët thonë se reduktimet po u shkaktojnë probleme e dëme.
Nga ana tjetër, edhe KEDS (Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike), edhe qeveria kanë bërë thirrje që të kursehet energjia sa më shumë.
Ata kanë kërkuar nga qytetarët që aty ku ka mundësi të përdoren forma alternative për ngrohje dhe jo energjia elektrike.
Qeveria mori vendim për shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh, pas krizës energjetike që ka prekur së fundmi vendin.
Ditën e djeshme(19 janar) në një konferencë të mbajtur për media lidhur me krizën energjetike sëbashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli,Kurti është shprehur se kjo krizë është trashëguar me vite të tëra.
“Çmimet e tanishme tregojnë se kriza do të zgjasë përtej dimrit. Ministria e Ekonomisë ka shprehur një interesim për të subvencionuar energjinë elektrike deri më 75 milionë euro, për të mos u prekur amvisëritë që konsumojnë deri në 600 këh në muaj dhe bizneset”, tha Kurti.
Ai theksoi se subvencionimi i ndarë nga Qeveria nuk do të mbulojë të gjithë barrën e krizës energjetike dhe kritikoi qeveritë e kaluara për mungesë të investimeve e keqpërdorime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.