Kosova

Kurti: Vendimi i SHBA-së për sanksionet i mirëpritur, krimi dhe korrupsioni nuk kanë vend në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur vendimin e SHBA-së për vendosjen e sanksioneve ndaj disa serbëve të Kosovës që janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave,narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e kemi mirëpritur. Është një vendim shumë i mirëseardhur i cili po tregon që krimi dhe kurrupsioni nuk duhet të ketë vend, jo vetëm në vendet e BE-së por edhe në ato vende që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së siç është edhe Kosova.

Por ajo çfarë duhet të bëhet në vijim, e kjo është punë e jona, është që sistemi i drejtësisë t’i përcjellë me vëmendje të gjitha vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë informacion të bollshëm, në mënyrë që ata të mos kenë vetëm sanksione nga SHBA-ja por të jenë të sanksionuar, hetuar, gjykuar e dënuar edhe këtu tek ne”, tha Kurti.

Ai ka folur edhe rreth arritjes së një marrëveshje të mundshme finale me Serbinë në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel.

Kurti tha se dëshirojnë të kenë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme e cila definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke.

Duke komentuar emërimin e emisarit britanik për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach,Kurti tha se emisarët që vijnë nga perëndimi demokratik, gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht për Kosovën dhe rastin e saj me Serbinë.

“Ne dëshirojmë të kemi marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe e cila definon statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke pasur njohje reciproke qendër.

Emisarët që vijnë nga perëndimi demokratik gjithmonë janë të mirëseardhur dhe kjo tregon për një interesim shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor e posaçërisht për Kosovën dhe rastin e saj me Serbinë”,-ka thënë Kurti.

Edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, e mirëpriti sanksionimin dhe tha se vendosja e sanksioneve ndaj disa serbëve nga Kosova, është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, tha Borrell.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë