Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur se ka qenë i gatshëm ta shkruajë draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por kjo, sipas tij, u refuzua nga ndërmjetësit.
Kurti ka thënë se kryeministri nuk është për të themeluar asociacione dhe se kjo është detyrë e komunave.
“Kryeministrat nuk formojnë asociacione të komunave, komunat ofrohen e bashkëpunojnë. Ne e kemi një asociacion të komunave, nëse dikush e dëshiron një tjetër, kjo duhet të bëhet nga komuna. Nuk formon kryeministri asociacion, as nuk i themelon. Komunat asociohen me njëra-tjetrën. Nëse kryeministri themelon, kjo do të ishte imponim ndaj komunave. Asociimi është liri dhe e drejtë, këtë s’e bëj unë, aq më pak ndonjë shtet fqinj që mund të ketë pretendime të tilla”, ka theksuar ai.
“Më duhet të them se unë kam ofruar ta shkruaj draftin por aty jam refuzuar dhe më është thënë se këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues, i kryesuar nga deputetja e partisë së Vuçiçit e cila thurr lavde për kryekriminelin serb Millan Radoiçiç”.
“Unë kam shprehur gatishmërinë ta shkruaj draft statutin, mirëpo në anën tjetër jam kryeministër i Republikës Demokratike dhe duke qenë kryeministër unë nuk formoj Asociacion, kjo duhet të bëhet nga komunat”, u shpreh Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.